Intervista e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Mikhail Afanasiev, emision “Zona Zero”, Top News (Top Channel), 13 nëntor 2021
13 Nëntor / 2021

Intervista e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Mikhail Afanasiev, emision “Zona Zero”, Top News (Top Channel), 13 nëntor 2021

Gazetare: Pak ditë më parë u zhvillua 75 vjetori i Shoqatës së miqësisë Shqipëri-Rusi. Nese mund ti përhskruani, si kanë qenë këto 75 vite të kësaj shoqate, por edhe të marrëdhënineve mes dy vendeve?

M.Afanasiev: Për të qenë më të saktë, Shoqata e Miqësisë mbushi 75 vjet vitin e kaluar. Për shkak të masave kufizuese antikovid, u detyruam të shtynim festimin e kësaj ngjarjeje në një datë të mëvonshme. Në dakordësi me kryesinë e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Rusi, aktiviteti festiv u zhvillua ditën e premte, më datë 29 tetor. Kjo ngjarje mblodhi së bashku anëtarë të Shoqatës, miq të tjerë të Rusisë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të veteranëve të luftës, si edhe bashkatdhetarë rusë që jetojnë në këtë vend. Pjesa solemne ishin fjalët përshëndetëse të kryetarëve të Shoqatave: “Shqipëri-Rusi” dhe, nëpërmjet një video-lidhjeje, “Rusi-Shqipëri”. U mbajt edhe një koncert, ku morën pjesë interpretues shqiptarë dhe rusë. Kishte shumë muzikë, shumë këngë, valle, balet, këndim koral. Ne besojmë se një ngjarje e tillë ishte shumë e rëndësishme dhe e nevojshme në kushtet, kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë ndodhen në një nivel mjaft të ulët. Sidoqoftë, ne u bindëm sërish se në Shqipëri ka shumë miq të Rusisë, njerëz, të cilët mbështesin me sinqeritet zhvillimin e marrëdhënieve midis vendeve tona. Është kënaqësi që mes pjesëmarrësve të këtij aktiviteti dhe mes anëtarëve të Shoqatës së Miqësisë nuk ka vetëm përfaqësues të brezit të vjetër që kanë përjetuar vitet e miqësisë së madhe sovjeto-shqiptare, por edhe të brezit të ri që sot zënë poste në organizata të ndryshme civile, qarqe akademike, janë të angazhuar në biznes, studentë, të rinj të interesuar për kulturën ruse, të cilët e duan Rusinë, gjuhën ruse dhe kanë dëshirë ta mësojnë atë. Organizata të tilla janë një urëz lidhëse që bashkon vendet tona. Jam i sigurt se veprimtaria e tyre ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mbështjetje e mirë në forcimin e miqësisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të popujve tanë, do të na lejojë të njihemi më thellë me njëri-tjetrin, të ofrojmë ndihmë dhe mbështetje reciproke.

Gazetare: Më lejoni të ndalem te fraza Juaj se marrëdhëniet nuk janë në nivelet më të larta. Pse?

M.Afanasiev: Mendoj që është një fakt i qartë. Nëse keni vënë re, kontaktet politike midis vendeve tona aktualisht janë tepër të rralla. Vizita e fundit e nivelit të lartë u zhvillua në shkurt 2020, kur kryeministri E.Rama vizitoi Moskën në cilësinë e Ministrit të Jashtëm dhe Kryetarit të OSBE-së. Që atëherë, praktikisht nuk ka patur kontakte politike midis vendeve tona. Bini dakord që shpeshtësia e kontakteve dypalëshe, shkëmbimi i rregullt i vizitave janë një tregues i nivelit të marrëdhënieve. Nga ana tjetër, për fat të keq, ne kemi një vëllim mjaft të ulët të bashkëpunimit dypalësh tregtar dhe ekonomik. Për këtë, mesa duket, të dyja palët mbajnë pjesën e përgjegjësisë, pasi në çdo marrëdhënie nevojitet interes i ndërsjellë. Në Shqipëri ka përfaqësues të degëve të ndryshme të industrisë, biznesit, bujqësisë, të cilët dëshirojnë të vendosin lidhje me Rusinë. Një interes të tillë shfaq edhe biznesi rus. Por, në këtë rast vepron një “por”: në marrëdhëniet midis vendeve evropiane, para së gjithash, Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse vepron një regjim sanksionesh. Shqipëria, si një vend, i cili përgatitet për anëtarësim në BE, mbështet të gjitha vendimet e sanksioneve, të miratuara nga Brukseli. Rusia, nga ana tjetër, vendosi regjimin kundër këtyre sanksioneve. Si rezultat, vëllimi i bashkëpunimit tonë ekonomik është reduktuar në minimum. Ekzistojnë disa tendenca pozitive në fushën e tregtisë dypalëshe, por vetëm për ato mallra e produkte, të cilat nuk janë përfshirë në listën e sanksioneve. Ajo që Shqipëria mund të na ofrojë, para së gjithash, janë produktet bujqësore, të cilat praktikisht janë të ndaluara si pasojë e vendosjes së sanksioneve. Megjithatë, ne nuk mendojmë se kjo situatë është pa zgjidhje. Në të ardhmen ne shpresojmë në rifillimin e plotë të punës së Komisionit Dypalësh Ndërqeveritar Shqiptaro – Rus për Bashkëpunimin Tregtar, Ekonomik. Formalisht ky komision tashmë ekziston prej shumë vitesh, por praktikisht nuk funksionon. Megjithatë, ka shenja se të dyja palët po shfaqin interes për rikthimin në normalitet të veprimtarisë së Komisionit. Ndër lajmet e mira, mund të përmend faktin se turizmi rus më në fund ka zbuluar Shqipërinë. Këtë vit dhjetëra mijëra turistë rusë e kanë vizituar atë. Përshtypjet e përgjithshme të pushuesve janë shumë pozitive. Aktualisht qytetarët rusë kanë përfituar nga mundësia e dhënë nga qeveria shqiptare, e cila ka hequr regjimin e vizave për turistët në periudhën e pushimeve verore. Përveç kësaj, kompanitë ajrore ruse tashmë kryejnë fluturime të rregullta javore nga Moska në Tiranë, nga Ekaterinburgu në Tiranë. Pra, kur them se marrëdhëniet mes vendeve tona nuk janë në nivelin më të lartë, kjo nuk do të thotë se ato janë buzë greminës. Në sferën politike ne kemi një arsye të mirë për t’iu kthyer konsultimeve politike në kuadrin e pjesëmarrjes së shpejti të Shqipërisë në punën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si anëtare jo e përhershme. Jam i sigurt se kontakte dhe diskutime përkatëse do të ketë tashmë në një të ardhme të afërt.

Gazetare: Një tjetër aktivititet ishte dhe ai i Ditës së Unitetit, çfarë domethënie ka kjo festë për Rusinë?

M.Afanasiev: Dita e Unitetit Kombëtar është një festë e rëndësishme shtetërore, në të njëjtën kohë mjaft e re. Festimi i saj filloi vetëm në vitin 2005. Sidoqoftë, kjo Ditë ka hyrë bindshëm në kalendarin festiv të qytetarëve rusë dhe është kthyer në një ngjarje të shënuar, simbolike për vendin tonë. Nga këndvështrimi historik, bëhet fjalë për ngjarjet e 400 viteve më parë. Në vitin 1612, forcat vullnetare të bashkuara ruse dëbuan nga Moska trupat polake dhe qeverinë marionetë të kolaboracionistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Si rezultat, u rimëkëmb pushteti shtetëror kombëtar dhe nisi rilindja e shtetësisë ruse. Ky proces u drejtua për shumë shekuj nga dinastia e carëve Romanovë. Përse kjo festë lindi në shekullin XXI? Kjo, mesa duket, mund të shpjegohet me nevojën e shoqërisë për të patur një faktor që i bashkon, pa përjashtim, të gjithë qytetarët rusë, pavarësisht origjinës, kombësisë apo besimit fetar. Me të drejtë, një faktor i tillë u bë kujtesa historike për ngjarjet e Kohës së Trazirave të Mëdha, kur nën rrezik u gjend ekzistenca e vetë shtetit rus. Do t’i lejoj vetes të kujtoj se në fillim të mijëvjeçarit të XXI Rusia sapo kishte nisur të dilte nga kriza, si rezultat i rënies së Bashkimit Sovjetik. Në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar Rusia ndodhej në krizën më të ashpër ekonomike, sociale e politike. Njerëzit humbën besimin te e ardhmja, nisën të formoheshin lëvizje separatiste, u ndërmorën përpjekje për të nxjerrë rajonet ruse jashtë kontrollit të Moskës. Rusia u bë shënjestër e një sulmi të drejtpërdrejtë nga forcat e terrorizmit ndërkombëtar, i cili ushqeu në mënyrë aktive ndjenjat ekstremiste dhe separatiste. Ju, sigurisht, mbani mend veprimet e terroristëve dhe separatistëve në Kaukazin e Veriut. Por nga fillimi i viteve 2000, këto tendenca u ndalën, Rusia u rilind sërish. Ekonomia dhe prestigji ndërkombëtar i saj u rivendosën, ndërsa vendi u bashkua në një bazë të re federale, si rezultat i së cilës një qendër e fuqishme federale dhe rajone të pavarura të afta filluan të funksionojnë në mënyrë efektive. Në këtë situatë, lindja e një feste të tillë u bë një ngjarje historike, e cila dëshmon për ngjashmërinë e ngjarjeve, të ndodhura në kohët e sotme, me ngjarjet e 400 viteve më parë. Rusia përsëri e ndjeu veten si një vend i madh e i bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme dhe rusët e mbajnë mend gjithmonë këtë.

Gazetare: Zoti Ambasador, ndalemi pak tek ngjarja e rëndë e ndodhur pak javë më parë, ajo e vdekjes së 4 turistëve rusë në Shqipëri. Në media janë hedhur shumë teza mbi Sergej Burenkov dhe të shkuarën e tij. A mund të na saktësoni çfarë profesionsh kishin 4 viktimat?

M.Afanasiev: Së pari, nuk mund të mos shpreh pikëllimin dhe trishtimin tim lidhur me këtë ngjarje tragjike – humbjen e jetëve të katër turistëve rusë në Shqipëri. Është një tragjedi e madhe njerëzore, e cila, për keqardhjen time të thellë, nuk mori një pasqyrim adekuat në media. Kur përmend median, kam parasysh si median shqiptare, ashtu edhe atë ruse. Humbën jetën katër persona, të së njëjtës familje, të cilët erdhën në Shqipëri me pushime dhe u kthyen në shtëpi në arkivole plumbi. Kur nisi hetimi nga organet ligjzbatuese të Shqipërisë, në shtyp dolën shumë të dhëna, informacione, referime, insinuata për personalitetet e viktimave. Në veçanti, ka pasur shumë ankesa në adresë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shqipëri se ne gjoja fshehim se kush ishin këta persona, me se merreshin, arsyen e ardhjes në Shqipëri. E habitshme, por mediat, më së shumti, i trillojnë vetë historitë, i zhvillojnë ato dhe, më pas, angazhohen të kërkojnë komente mbi insinuatat e tyre. Në fakt, informacionet se kush janë ata, emrat, të dhënat e pasaportës, vendbanimit, adresat dhe profesionet e tyre u janë dhënë që në fillim organeve ligjzbatuese shqiptare në masën që Ambasada dispononte. Në veçanti, nëse flasim për profesionet konkrete të anëtarëve të familjes: kreu i familjes, Sergei Burenkov, në momentin e ngjarjes tragjike punonte si menaxher (madje, do të thoja i një hallke jo drejtuese) në një prej fabrikave të prodhimit të xhamave pasqyrë në Moskë. Nuk kemi asnjë informacion mbi të kaluarën e tij. Pretendimet se ai i ishte pjesë e shërbimeve speciale apo gjeneral në pension, janë spekulime. Ne nuk kemi fakte të tilla. Bisedat e përhapura, lidhur me mungesën e faqeve të tij në Facebook apo Instagram, të cilat gjoja dëshmojnë se ai punonte për shërbimet speciale, janë një absurditet i plotë. Njerëzit e moshës së tij, si në Rusi, ashtu edhe në Shqipëri, nuk ka gjasa të jenë përdorues aktivë të rrjeteve sociale Facebook apo Instagram. I tillë është brezi. Ndërkohë, vajza e tij e ndjerë, Ekaterina Burenkova kishte faqe të tilla, në të cilat publikonte shumë fotografi nga jeta e saj personale, jeta e të fejuarit, udhëtimet me prindërit e ndjerë në vende të tjera. Domethënë, askush nuk i fshihej publicitetit. Thjesht, secili kishte mënyrën e vetë të jetesës. Ekaterina ishte një punonjëse në një prej bankave ruse. Sidoqoftë, ajo gjithashtu nuk kishte ndonjë pozicion drejtues. Nëna e saj, bashkëshortja e zotit Burenkov, dikur kishte punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe, me sa dimë, pas daljes në pension jepte mësime private të anglishtes për nxënësit e shkollave. Anëtari i katërt i kësaj familjeje, i fejuari i Ekaterina Burenkovës, punonte në të njëjtën kompani shtetërore, në të cilën punonte e fejuara e tij, Ekaterina, por në një departament tjetër. Nëse ajo punonte në bankë, ai punonte në sektorin e ndërtimit. Në përgjithësi, kjo është një kompani shtetërore Dom RF, e cila merret me zbatimin e programeve shtetërore të ndërtimit të banesave në të gjithë Federatën Ruse. Megjithatë, ai ishte gjithashtu një drejtues i nivelit të mesëm.

Gazetare: Si ka qenë bashkëpunimi me autoritetet shqiptare për këtë hetim? Cilat janë dyshimet mbi shkaqet e vdekjes?

M.Afanasiev: Që në fillim, kur mësuam për ngjarjen, Ambasada iu drejtua, nëpërmjet Departamentit Konsullor, autoriteteve përkatëse të Shqipërisë me kërkesë për dhënien e informacionit të disponueshëm. Në Ambasadë mbërritën një grup policësh shqiptarë, të cilët na njohën me rrethanat e ngjarjes dhe kërkuan të dhëna personale për viktimat. Më pas, siç e dini, me inisiativën e Policisë së Shtetit, Prokuroria nisi një hetim për veprën penale për “vrasje”, pasi në shumicën e rasteve, kur nuk ka shenja të dukshme të vdekjes natyrore (dhe ky është një rast i tillë), hapet një çështje për “vrasje”. Kjo bëhet si në Shqipëri, ashtu edhe në Rusi. Pas kësaj, pala shqiptare na njoftoi për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore dhe mjeko-ligjore si në vendngjarje, ashtu edhe në laboratorë të specializuar duke përdorur mostrat e materialit biologjik, të marra si rezultat kryerjes së autopsisë së trupave. Deri më tani, ne nuk jemi në dijeni të ndonjë rezultati specifik të këtyre kërkimeve. Ju e dini që ekziston një koncept i tillë, si fshehtësia e hetimit, i cili lidhet me faktin se rrethanat dhe rastet e një ngjarjeje apo krimi nuk i zbulohen publikut të gjerë deri në përfundimin e hetimit. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse detajet e zbuluara mund t’i japin një krimineli të mundshëm informacion se si dhe ku duhet të mbulojë gjurmët e tij. Ne ende nuk mund të themi se bëhet fjalë për një krim specifik, një vrasje specifike. Përfundime për klasifikimin pa mëdyshje të ngjarjes si një aksident, ende nuk ka.

Gazetare: Në njoftimin e Ambasadës thuhej se do t`i nënshtroheshin dhe një autopsie në Rusi. A keni informacione mbi këtë autopsi?

M.Afanasiev: Unë vetëm sa mund të konfirmoj faktin se, pas riatdhesimit të trupave nga Shqipëria, një autopsi e dytë e viktimave u krye në Rusi në kuadrin e procedurës standarte të çështjes penale të hapur në Rusi mbi po ato baza. Pra, nëse kallëzuesi i krimit në Shqipëri ka qenë policia shqiptare, dhe, bazuar në deklaratat e saj, është hapur një çështje penale, në Rusi, duke qenë se bëhet fjalë për shtetas të këtij vendi, familjarët gjithashtu janë drejtuar në polici. Është hapur një çështje penale bazuar në të njëjtin nen, atë për “vrasje”, e cila mund të rikualifikohet pas përfundimit të hetimeve. Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse po kryen gjithashtu studimin e nevojshëm të rrethanave të çështjes dhe, siç e kuptoj, ende nuk janë publikuar përfundimet e ekspertizës mjeko-ligjore deri në përfundimin e veprimeve të tjera hetimore.

Gazetare: A mendoni se mund të bëhet fjalë për vrasje?

M.Afanasiev: Dua të sqaroj se hetimi duhet të marrë parasysh të gjitha versionet e asaj që ndodhi. Është hapur një çështje penale për “vrasje”. Ka shumë pyetje: nga njëra anë, pse katër persona vdiqën në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, nuk u konstatuan gjurmë dhune, siç e kuptoj unë, edhe pas ekzaminimit të trupit të viktimave. Mund të bëhet fjalë edhe për një aksident. Në këtë rast, është e nevojshme të sqarohen plotësisht rrethanat e tragjedisë. Dikush flet për asfiksim nga një lloj tymi, dikush flet për mundësinë e helmimit nga uji në pishinë. Para se të ktheheshin në hotel, ata bënë një udhëtim në Maqedoninë e Veriut. Ndoshta ishte helmim nga ushqimi, sepse ata kanë ngrënë diku gjatë rrugës. Të gjitha këto opsione janë gjithashtu të mundshme.

Gazetare: Lajm bëri edhe përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë në hetimin e kesaj ngjarjeje. Është një procedurë normale kjo?

M.Afanasiev: Siç thashë më përpara, në përputhje me ligjislacionin rus, agjensitë ruse të zbatimit të ligjit duhet të kryejnë hetimin e tyre, pasi po flasim për vdekjen e qytetarëve rusë. Është e qartë se një hetim i tillë nuk mund të kryhet nga hetuesit rusë pa pjesëmarrjen e kolegëve të huaj, duke marrë parasysh se ky incident ka ndodhur në territorin e një shteti tjetër. Natyrisht, këtu hyn në lojë sistemi i ndihmës së ndërsjellë në çështjet juridike dhe gjyqësore, i krijuar nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe dypalëshe. Domethënë, në një moment është e pashmangshme vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta dhe ndërveprimit ndërmjet hetimit dhe prokurorisë së dy vendeve. Padyshim që do të bëhen kërkesa nga prokuroria ruse dhe, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Pala shqiptare do të jetë e detyruar të japë informacionin e nevojshëm. Edhe Pala shqiptare ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë nga kolegët e saj në Moskë. Një ndihmë e tillë e ndërsjellë do të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nisemi nga premisa se detyra e organeve hetimore shqiptare dhe ruse nuk është konkurrencë, por përpjekje e përbashkët për zbardhjen e së vërtetës. Kjo është fryma e bashkëpunimit normal ndërshtetëror, duke përfshirë çështje të tilla, si hetimi i krimeve dhe aksidenteve, si pasojë e të cilave humbin jetën shtetas të këtyre vendeve. Zoti na ruajt, sigurisht, por nëse do të ndodhte ndonjë krim apo humbja e jetës e një shtetasi shqiptar në territorin e Federatës Ruse, veprimet e hetuesve tanë dhe atyre shqiptarë do të ishin absolutisht analoge - fillimi i hetimit në Rusi do të ishte pasuar nga hapja e çështjes nga autoritetet shqiptare. Ndihma dhe mbështetja e ndërsjellë, përcjellja e informacionit të kërkuar - kjo është mënyra e vetme për të zbardhur të vërtetën.

Gazetare: Zoti Ambasador, si Ju vlerësoni ecjen e bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shqipërisë? Kur bashkëpunimi i të dyja shteteve do të arrijë nivele më të larta siç ato janë tani?

M.Afanasiev: Tashmë e kemi prekur këtë temë kur iu përgjigja pyetjes, pse besoj se marrëdhëniet tona nuk janë në një nivel mjaft të lartë. E rëndësishme sot është gjetja e fushave konkrete të bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë për vendet tona. Ekzistenca e një potenciali të tillë është inkurajuese. Kjo kërkon vetëm vullnet politik dhe, e theksoj, nga të dyja palët. Shfaqjen e vullnetit tani e lidhim me rifillimin e aktivitetit të Komisionit ndërqeveritar dypalësh. Nëse anëtarët e këtij Komisioni do të fillojnë punë konkrete, atëherë mund të thuhet se marrëdhëniet tona po ndryshojnë në drejtim pozitiv dhe ne po ecim drejt njëri-tjetrit me një ritëm më të shpejtë se sa kemi bërë deri më sot.