19 gusht

Koment mbi samitin e ashtuquajtur “Platforma e Krimesë”

Ribashkimi i Krimesë me Rusinë nuk po u jep qetësi politikanëve ukrainas. Kievi njoftoi për disa “shtylla”, mbi të cilat do të ndërtohet politika e “kthimit” të Krimesë dhe Sevastopolit. Bëhet fjalë për një strategji të re të “deokupimit”, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar dhe Mbrojtjes së Ukrainës, nismën “Platforma e Krimesë” dhe “rivendosjen e së drejtës ndërkombëtare”.

 Mund të pohohet me siguri se mbi të tilla “shtylla” të paqëndrueshme nuk mund të rezistosh dot gjatë. Asnjë “strategji” nën rrogoz kundër banorëve të Krimesë, përfshirë sanksionet dhe bllokadën e ujit, nuk mund të rikthejnë besimin e tyre. Asnjë “platformë” për diskutimin, me shtetet e tjera, të dhimbjeve imagjinare të Kievit nuk do të bindin krimeasit për të ndryshuar vendimin e marrë në referendumin e vitit 2014. Asnjë bisedë për shkeljen e supozuar të normave ndërkombëtare nuk do të anulojnë të drejtën e tyre legjitime për vetëvendosje.

Kushdo tjetër, por jo Kievi mund të dalë në rolin e mbrojtësit të të drejtave të tartarëve krimeas. Dihet mirë se para vitit 2014 mekanizmat ndërkombëtarë të monitorimit në fushën e të drejtave të njeriut – Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit Racor, Komiteti i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Komisioneri i  Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut etj – kanë regjistruar në mënyrë të përsëritur shkelje të të drejtave të pakicave kombëtare, kryesisht të tartarëve të Krimesë.

Vitet e fundit në Krime shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtim pozitiv. Me miratimin në vitin 2014 të Kushtetutës së Republikës së Krimesë, sipas së cilës gjuha tartare e Krimesë, së bashku me gjuhët ruse e ukrainase, mori statusin e gjuhës zyrtare, çështja e “gjuhës”, aq e dhimbshme e me potencial shpërthyes për banorët e gadishullit, u hoq përfundimisht.

 

Sot, autoritetet e Kievit, nën mbrojtjen e mbështetësve perëndimorë shkelin paturpësisht të drejtën ndërkombëtare. Politika e tyre e orientuar drejt ukrainizimit total të dhunshëm, përkrahja e neonazizmit, shkelja e të drejtave gjuhësore, kulturore dhe arsimore e pakicave kombëtare dhe qytetarëve rusishtfolës, lufta kundër mendimit ndryshe, propaganda e rusofobisë, pastrimi i hapësirës informative – të gjitha këto largojnë edhe më shumë nga Kievi jo vetëm Krimenë ruse, por edhe rajonet e qytetarët e vetë Ukrainës.

Gjithë përpjekjet e Kievit lidhur me kthimin e Krimesë janë jolegjitime dhe nuk mund të perceptohen ndryshe, veçse si një rrezik agresioni kundër një pjese të pandashme të Federatës Ruse. Autoritetet ruse kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të konsiderojnë pjesëmarrjen e çdo shteti apo organizate në veprime të tilla, përfshirë  nismën “Platforma e Krimesë”, si një hap jomiqësor ndaj Rusisë, një atentat ndaj tërësisë të saj territoriale.

Federata Ruse u bën thirrje të gjithë shteteve, të cilët mbështesin “nismat” ukrainase, të respektojnë zgjedhjen legjitime të banorëve të Krimesë dhe tërësinë e saj territoriale.