Intervista e të Ngarkuarit të Përkohshëm me Punë të Rusisë në Shqipëri, z. Andrej Shugurov për kanalin televiziv shqiptar “Fax News”, 28 tetor 2020
28 tetor / 2020

Intervista e të Ngarkuarit të Përkohshëm me Punë të Rusisë në Shqipëri, z. Andrej Shugurov për kanalin televiziv shqiptar “Fax News”, 28 tetor 2020

Gazetare: Vitin e kaluar bota u përball me një ngjarje të jashtëzakonshme – bëhet fjalë pikërisht për pandeminë COVID-19, me të cilën duket se të gjitha vendet e botës ishte hera e parë se po përballëshin. Ndërkohë mes gjithë kësaj lufte duket se vendet e botës filluan që të garojnë me njera-tjerën se kush do ta nxjerrte e para një vaksinë për të luftuar këtë sëmundje. Rusia ishte pikërisht vendi i parë, i cili prodhoi këtë vaksinë, dhe për të njohur më konkretisht për ecurinë e saj, por, mbi të gjitha, se si po kalon vala e dytë e përhapjes së kësaj sëmundjeje në këtë vend edhe në vendet e tjera të botës, do të zhvillojmë një bisedë me të ngarkuarin e përkohshëm me punë të Rusisë në Shqipëri, njëkohësisht edhe zëvendësambasadorin e Rusisë në Shqipëri z. Andrej Shugurov. Zoti Shugurov, Ju falenderoj shumë që pranuat të jepni këtë intervistë për “Fax News”.

A.Shugurov:Për mua është një kënaqësi e madhe të mirëpres ekipin e televizionit Fax News në Ambasadën tonë në Shqipëri. Para se të fillojmë bisedën tonë për vaksinat, do të doja t’u uroja drejtuesve të Shqipërisë dhe gjithë popullit shqiptar të kalojnë sa më shpejt këtë të keqe, e cila, fatkeqësisht, ka përfshirë gjithë njerëzimin.

Gazetare:Fillimisht dua të pyes se si është situata me përhapjen e koronavirusit në Rusi. Ashtu sikurse vendet e tjera e botës a është prekur Rusia nga vala e dytë e epidemisë?

A.Shugurov: Për fat të keq, koronavirusi nuk e anashkaloi Rusinë. Vendi ynë është shumë i hapur. Bashkëqytetarët e mi udhëtojnë lirshëm në gjithë botën, përfshirë edhe vendin e tyre të preferuar turistik evropian, Italinë, ku, fatkeqësisht, u shfaq edhe shpërthimi i parë dhe i rëndë i kësaj sëmundjeje. Nuk është vetëm Italia, por edhe vendet e tjera, prej nga turistët rusë sollën këtë sëmundje në Rusi. Mund të them me keqardhje se askush nuk është i mbrojtur nga pandemia. Natyrisht, në periudhën e pranverës deri në fillim të verës ne kaluam valën e parë jo të thjeshtë të sëmundjes. Fatmirësisht, në Rusi ekziston një shkollë e fortë antiepidemiologjike (e trashëguar nga kohët sovjetike), e cila ka lejuar jo vetëm të kryhen studime mbi virusin, por edhe mbi drejtimet e kundërveprimit ndaj përhapjes së tij. Nëse do të flasim për shifra, atëherë, bazuar në llogaritjen e vdekshmërisë në 1 milion banorë të popullsisë, madje, edhe gjatë valës së dytë, e cila rezultoi të jetë më e vështirë se e para, në Rusi ky tregues përbën 167 persona. Sa i përket numrit të përgjithshëm të vdekjeve nga sëmundja, vendi renditet në vendin e 13-të, dhe sa i përket 1 milion banorëve vendin e 53-të. Vala e dytë e sëmundjes është me të vërtetë e vështirë, nëse në muajin gusht regjistroheshin jo më shumë se 5000 të sëmurë në ditë, ditët e fundit shënohen rreth 15 000 të prekur. Për fat të mirë, Rusia është më e përgatitur për këtë valë të dytë. Sikurse mediat shqiptare nuk monitorojnë me shumë kujdes situatën lidhur me Covid-19 në Rusi, do t`ju them se që në muajt e parë të pandemisë në vendin tonë u ndërtuan nga zero disa dhjetëra spitale të sëmundjeve infektive në rajone të ndryshme të vendit. Njëkohësisht nisi puna për gjetjen e mjeteve të trajtimit të koronavirusit. Ne kemi një shkollë shumë të fortë mjekësh infeksionistë. Deri më sot insititucionet shkencore kanë prodhuar më shumë se dhjetë preparate kundër koronavirusit. Fazën e testimit janë duke e kaluar jo dy, por tre vaksina, të krijuara mbi baza krejt të ndryshme.

Gazetare:Përpara se të ndalemi tek vaksina, në përgjigjen Tuaj Ju përmendët masat kufizuese. Do të na thoni më konkretisht për masat, të cilat kanë marrë autoritetet ruse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe si janë gjykuar nga popullsia ruse – janë mirëpritur, janë zbatuar apo jo?

A.Shugurov:Ju lexoni mendimet e mia. Pikërisht te kjo temë doja të ndalesha. Sërish, duke kujtuar shkollën sovjetike dhe ruse epidemiologjike. Rregullat antiepidemike janë krijuar prej kohësh. Ekzistojnë protokolle të veçanta. Duke patur parasysh faktin se koronavirusi është mjaft ngjitës, Rusia përjetoi periudhën e kufizimeve të forta, e cila zgjati dy muaj. Bëhet fjalë për një vëtëizolim të rreptë, kalimin e punonjësve, në rast mundësie, në regjim pune online. Kuptohet, me përjashtim të degëve kryesore të prodhimit me cikël të pandërprerë, të cilat kërkojnë praninë e punëtorëve. U vendos regjimi i rreptë i përdorimit të maskave, distancimit social, shkurtimit të ditës së punës. Përfaqësuesit e brezit të vjetër u vetëizoluan. Për fat të keq, jemi të detyruar t’u rikthehemi këtyre masave edhe sot. Po, një “lockdown” i plotë është një masë mjaft e vështirë, e cila ndikon në mënyrë shumë negative në ekonomi. Ju në Shqipëri e ndjetë këtë, ashtu si edhe ne në Rusi. Ne dëshirojmë të shmangim një “lockdown” të radhës për ekonominë tonë, por vala e dytë është më e ndërlikuar se e para.Veçanërisht, masa të rrepta antiepidemike po vendosen në qytetet e mëdha me dendësi të lartë të popullsisë. Na pëlqen apo jo, mbajtja e maskave dhe dorashkave është një detyrim në ambientet e mbyllura. Nuk është e rehatshme, por ne duhet të respektojmë këtë rregull. Pensionistëve u është rekomanduar të vëtëizolohen në shtëpi, pasi pikërisht ata apo njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike e kalojnë me shumë vështirësi këtë sëmundje. Në shkolla fillimisht u zgjatën pushimet e verës, tani nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta kaluan sërish në regjimin e mësimit në distancë. U vendosën masa kufizuese edhe në lëvizjen e udhëtarëve me mjetet e transportit publik. Transporti publik i Moskës ndryshon nga ai i Tiranës, pasi nuk është vetëm tokësor (autobuzë, trolejbuse e tramvaje), ka edhe metro, në të cilën lëvizin çdo ditë rreth 15-20 milionë pasagjerë. Në Moskë jetojnë 14 milionë banorë, ndërsa “Moska e Madhe” përfshin në vetvete rreth 20 milionë, të cilët duhet të udhëtojnë e takohen me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, zbatimi i masave të sigurisë personale është një detyrim. Për fat të mirë, bashkëqytetarëve të mi rrallëherë u lind pyetja, a është e detyrueshme apo jo të respektohen këto rregulla. Njerëzit e kanë kuptuar tashmë, duke përjetuar valën e parë të koronavirusit, se është e detyrueshme të respektohet çdo masë, pasi ato janë të lidhura me ruajtjen si të shëndetit të tyre, ashtu edhe të shëndetit të familjarëve dhe të afërmve të tyre. Kur hyj në dyqanet vendase, këtu në Tiranë, sidomos në supermarkete, e thënë butë, jam paksa i habitur me qëndrimin e papërgjegjshëm të disa qytetarëve tuaj lidhur me masën e mbajtjes së maskave. Para së gjithash, kjo është siguri për çdo qytetar, e më pas, siguri për të gjithë qytetarët. E di se është e parehatshme të mbash maskë, sidomos për njerëzit e moshës sime, por secili duhet të ketë përgjegjësi qytetare. I kuptoj plotësisht masat e qeverisë. Falë respektimit të këtyre rregullave, Rusia renditet goxha poshtë në listën e vendeve të prekura nga koronavirusi. Sigurisht, si pohojnë disa, mund të themi se është një zgjedhje personale e çdo qytetari të mbajë apo jo maskën. Megjithatë, koronavirusi nuk fal askënd.

Aspekti i fundit i luftës kundër koronavirusit është testimi. Këtu, të themi të vërtetën, kemi përparime. Nëse në etapën e parë të epidemisë situata lidhur me testimin paraqitej problematike, sot në Rusi me një popullsi prej 140 milionë njerëz janë kryer më shumë se 50 milionë teste. Aktualisht, çdo ditë kryhen rreth gjysmë milioni teste. Avantazh përbën numri i madh i laboratorëve dhe metodat e testimit. Përveç kësaj, testet janë falas për pjesën më të madhe të popullatës sonë. Nëse testet kryhen në laboratorë privatë, e them hapur, çmimet janë më të ulta se në Tiranë.

Gazetare:Ju duket i lartë në Shqipëri çmimi i testimit në krahasim me vendet e tjera? Në këndëveshtrimin Tuaj a po zbatojnë njerëzit në Shqipëri masat kufizuese apo jo?

A.Shugurov: Siç e kam përmendur tashmë, jam disi i befasuar që në supermarketet e Tiranës jo të gjithë qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për rrezikun që mbart koronavirusi. Ata rrezikojnë si veten, ashtu edhe njerëzit përreth. Më falni, por nuk është normale të ecësh nëpër market në këtë mënyrë. E kuptoj që maskat kushtojnë, por shëndeti juaj dhe shëndeti i të afërmve tuaj është shumë herë më i rëndësishëm. Të gjithë punonjësve tanë, të mos flas për bashkëshorten time, u është dhënë një udhëzim shumë i rreptë për respektimin rigoroz të regjimit të maskave në ambientet jashtë banesës së tyre dhe kësaj zyre. Çdo mëngjes mjeku i ambasadës kontrollon gjendjen shëndetësore të punonjësve të mi. Nëse ekziston edhe dyshimi më i vogël i prekjes nga kjo sëmundje, ne i dërgojmë ata në karantinë në shtëpi.

Gazetare:A mund të themi se Rusia kishte më shumë përparësi në zbatimin e masave të rrëpta në krahasim me vendet e tjera?

A.Shugurov: Ndoshta është formuar historikisht kështu, popullsia e Rusisë është e prirur në shumicën e saj të ndjekë me përpikëri rekomandimet dhe udhëzimet e lëshuara nga autoritetet e shtetit tonë. Ndoshta është një tipar historik. Po, ka edhe qytetarë rusë që nuk pajtohen me to. Shteti është i lirë dhe të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por, nëse ata kanë përgjegjësi vetëm për vete, në rregull. Nëse ata krijojnë rrezik për të tjerët, shteti ka të drejtë të ndërhyjë dhe t’i detyrojë të respektojnë interesat e qytetarëve të tjerë. Bëhet fjalë për sigurinë e këtyre të fundit. Nëse dikush shkel qëllimisht rregullat e sigurisë, atëherë shteti ka të drejtë të plotë të përdorë mekanizmin e detyrimit duke u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të tjerë.

Gazetare:Dihet se Rusia u bë vendi i parë, që regjistroi vaksinën kundër koronavirusit. Disa javë më parë u bë i njohur lajmi për regjistrimin e edhe një vaksine tjetër. Si po kalon faza e fundit e testimit të tyre?

A.Shugurov: Më tërhoqi vëmendjen fraza që thatë në fillim të intervistës, që ju dukej se kishte nisur një konkurencë ndërkombëtare për krijimin e një vaksine të re. Njerëzimi po përballet me një fatkeqësi të përbashkët dhe nuk mund të flitet për ndonjë përparësi politike në kapërcimin e saj. Rusia niset nga domosdoshmëria për një bashkëpunim shumë të ngushtë midis rretheve shkencore të vendeve të ndryshme me qëllim përpunimin, testimin dhe shpërndarjen e çdo vaksine efektive kundër koronavirusit.Vetëm disa ditë më parë, British Daily Mail akuzoi Rusinë se po përpiqet të diskreditojë versionin britanik të vaksinës, për të cilën po punon Astrazeneca. E trishtueshme është se kjo tezë po mbështetet nga Sekretari i Jashtëm Britanik, por askush nuk i kushton vëmendje faktit që kompania Astrazeneca gëzon një respekt të madh në Rusi. Gjithashtu, nuk merret parasysh fakti që një nga kompanitë më të mëdha farmaceutike në Rusi ka nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi me Astrazenecan, në bazë të së cilës kompania ruse do të mund të blejë nga kjo e fundit doza të vaksinës, ta prodhojë atë në vendin tonë dhe t’i shpërndajë në vendet e tjera ku është e nevojshme.Të kritikosh apo përqeshësh partnerët e tu, e thënë butë, është e pandershme. Me sa di unë, aktualisht në botë janë duke u zhvilluar rreth 40 vaksina të ndryshme. Në Rusi, 17 institucione shkencore po punojnë për prodhimin e tyre, 28 variante të ndryshme vaksinash janë në zhvillim e sipër. Dy vaksina, “Sputnik-5” dhe vaksina e qendrës “Vektor” “EpiVacCorona” tashmë kanë hyrë në fazën e tretë, e cila është faza e fundit e testimit. Ka patur shumë komente për nxjerrjen e parakohshme të vaksinës ruse. Por duhet të kihet parasysh se në vende të ndryshme ekzistojnë protokolle të ndryshme për pranimin e vaksinës për përdorim. Edhe në Rusi ekziston një protokoll i tillë. Kjo nuk do të thotë që, pasi të kenë kaluar dy faza testimi, vaksina menjëherë fillon të përdoret. Jo, në Rusi, siç e përmenda, vaksina Sputnik-5 po kalon fazën e tretë të testimit. Janë përfshirë më shumë se 30 mijë vullnetarë dhe testet po kryhen nën një kontroll shumë të rreptë.Janë krijuar programe të veçanta në formën e aplikacioneve në celulare, me anë të të cilave çdo pjesëmarrës i testit raporton në kohë reale për gjendjen e tij shëndetësore. Pacientët mbajnë një ditar për gjendjen e tyre. Çdo i testuar kalon përmes një kontrolli mjekësor të plotë. Etapa e tretë e testimit po realizohet me sukses, nuk vërehen ndërlikime serioze. Jo rastësisht shumë anëtarë të qeverisë sonë, duke përfshirë edhe familjen e presidentit, janë vaksinuar tashmë. Është e rëndësishme që një numër i tërë institucionesh shkencore po punon në këtë drejtim, çdonjëri prej tyre po përpunon variantin e tij të vaksinës me metoda të ndryshme. Ato kanë cilësi dhe rezultate potenciale të ndryshme. Sa më shumë vaksina të kemi, aq më e madhe është mundësia për mjekët tanë të zgjedhin këtë apo atë vaksinë në varësi të gjendjes së shëndetit të pacientit. Për këtë arsye, për ne në Rusi nuk ka absolutisht rëndësi se çfarë vaksine është: “perëndimore” apo “lindore”. Gjithashtu, në regjim testimi është edhe vaksina kineze. Pra, nuk ka rëndësi se cili vend e ka prodhuar atë. Rëndësi ka të jetë efektive.

Gazetare:A ka pasur ndonjë interes nga vendet e tjera për të blerë dozat e vaksinave ruse? A ka bërë Shqipëria një kërkesë të tilë?

A.Shugurov: Interesi për vaksinën e parë ruse është mjaft i fortë. Tashmë kemi marrë disa kërkesa për rreth 1 miliard e 200 milionë doza. Midis vendeve, të cilat kanë nisur testimin e vaksinës ruse janë Republika e Filipineve, Arabia Saudite, India dhe Brazili. Dy të fundit janë vende mjaft të populluara. Dua të drejtoj vëmendjen tuaj te fakti se ekzistojnë disa procedura specifike për blerjen e vaksinës. Nëse një shtet shfaq interes për një vaksinë, para së gjithash, ai duhet të bindet se kjo e fundit është efektive dhe e sigurtë. Rrjedhimisht, etapa e parë është testimi. Kjo pasohet nga marrja e patentës për përdorimin e vaksinës. Faza e tretë nuk konsiston vetëm në furnizimin me këtë produkt mjekësor nga Rusia, por në krijimin e mundësisë për prodhimin e kësaj vaksine në vendin në fjalë dhe dhënia këtij të fundit të së drejtës për të transportuar vaksinën në vendet e tjera.

Shqipëria nuk na ka paraqitur ndonjë kërkesë. Kam vënë re se në vend ka patur dy reagime: njeri ishte nga mjekë profesionistë dhe nga shkencëtarë virusologë. Sipas tyre, vaksina ruse është prodhuar në bazë të metodave e teknologjive të njohura mirë dhe nuk duhet të paraqesë asnjë rrezik. Ky është një nga mendimet. Ka patur edhe një reagim tjetër nga disa anëtarë të Këshillit të Ekspertëve, sipas të cilit, zgjedhja e Shqipërisë është të presë për një “vaksinë të sigurtë perëndimore”. Për sa i përket interesimit të qytetarëve, në adresë të Ambasadës ka patur shumë kërkesa për të shpëndarë disi këtë vaksinë mbi baza individuale. Për sa kohë vaksina nuk është çertifikuar për përdorim zyrtar në këtë vend, ne nuk mund ta sjellim atë. Rusia është e gatshme për bashkëpunim me çdo vend, përfshirë Shqipërinë, nëse ka një interes të tillë nga ajo.

Gazetare: Ju thatë që ka pasur interes nga shqiptarët për të blerë një vaksinë të tillë. Ka pasur midis tyre edhe persona te njohur? Ndoshta, nga fusha e politikës, e artit, që janë të famshëm?

A.Shugurov: Siç e dini, më kanë njoftuar se Ambasada ka marrë kërkesa të tilla. Ndonjë prej tyre mund ta njoh. Midis tyre ka qenë një biznesmen i njohur, por nuk kam hyrë në detaje. Meqënëse Shqipëria ka marrë një vendim politik duke shprehur mosdëshirën për bashkëpunim me Rusinë në këtë drejtim, ne nuk organizojmë ndonjë fushatë reklamuese, nuk i drejtojmë askujt asnjë propozim. Natyrisht, ne nuk mund të plotësojmë kërkesën e individëve. Megjithëse, në çdo kohë, nëse autoritetet vendase do të shprehin interes për këtë temë, ne do të sigurojmë të gjitha të dhënat e kontaktit si të Fondit Rus të Investimeve, i cili merret me furnizimin e vendeve të tjera me vaksina, ashtu edhe të kompanive private që janë të gatshme të eksportojnë medikamente posaçërisht kundër koronavirusit.

Gazetare: Ju falenderoj shumë për të gjithë informacionin, që dhatë për ne. Dhe shpresoj se kjo gjendje të kalojë sa më shpejtë.

A.Shugurov: Edhe unë shpresoj. Jo më kot në fillim të intervistës i urova Shqipërisë dhe popullit shqiptar të dalë sa më shpejt nga kjo periudhë e vështirë. Ju uroj juve, kolegëve tuaj, të gjithë shqiptarëve, para së gjithash, shëndet! Çdo gjë tjetër do të rregullohet.

https://youtu.be/mJsxDGKVtPI