Intervista e Ambasadorit Rus në Shqipëri z. Mikhail Afanasiev për emisionin “Vizioni i pasditës”, Vizion Plus, 5 shkurt 2021
05 Mars

Intervista e Ambasadorit Rus në Shqipëri z. Mikhail Afanasiev për emisionin “Vizioni i pasditës”, Vizion Plus, 5 shkurt 2021

Amb: Mirëmëngjes, mirëmëngjes! Kënaqësi që Ju njoh.

Evi: Faleminderit! Kam mësuar diçka në rusisht. Di thjesht t’Ju them “Përshëndetje”.

Amb: Korrekte!

Evi: E thashë mirë?

Amb: Shkëlqyeshëm!

Evi: Do të doja që fillimisht t’Ju falenderoja që pranuat intervistën, dhe që na pristët këtu, në ambasadën Tuaj. Së pari, a mund të bëjmë një ecje përgjatë kopshtit?

Amb: Patjetë, jeni mëse e ftuar.

Evi: Ju falenderoj! Ambasador, Ju keni vetëm një vit e gjysëm që veproni në Shqipëri.

Amb: Në fakt unë kam ardhur këtu më 9 Nëntor të 2019tës, që domethënë një vit dhe diçka

Evi: Si ka qenë ky vit për ju?

Amb: Në fakt, ka qenë një vit i vështirë. Mund ta imagjinoni. Jo vetëm në aspektin e përfshirjes në misionin tim diplomatik por gjithashtu për shkak të situatës së pandemisë, e cila ishte shumë e vështirë dhe na e ndërlikoi jetën. Pata shumë vështirësi në vendosjen e kontakteve me zyrtarët shqiptarë. Gjithashtu dhe për të takuar shqiptarë të shquar, për të organizuar pritje apo dhe takime të ndryshme në ambasadën tonë, duke ushtruar të gjitha masat anti-covid. Jeta u ndërlikua, por gjithsesi unë pata mundësi të zhvilloj kontaktet me ministrinë e jashtme, me Kryeministrin z. Edi Rama. I prezantova  letrat kredenciale Presidentit z. Ilir Meta. Kështu që kontaktet me botën diplomatike kanë qenë mjaft efikase. Kisha një bazament të fortë për të vazhduar.

Evi: Megjithatë ne jemi shumë kurioz të dijmë se si është dita e një ambasadori. Për shembull, çfarë bëtë sot në mëngjes? Si e nisni Ju ditën tuaj?

Amb: E vërteta është se zgjimi ka qenë gjithmonë një problem për mua (qesh).

Evi (teksa qesh): Përse?

Amb: Nuk e di, ndoshta ngaqë shtrihem për të fjetur vërtetë vonë dhe për këtë arsye bëhet e vështirë për t`u zgjuar në mëngjes. Por zakonisht, ngrihem në orën 7 të mëngjesit.

Evi: Okay, është shpejt…

Amb: Po është herët, për mua është shumë herët. E di që këtu në Shqipëri njerëzit e nisin ditën e punës shpejt. Duke qenë se ambasada ime hapet në 9, mund t’ja lejoj vetës të zgjohem në orën 7.

Evi: Më pas përgatisni mëngjesin, e kosumoni atë. Çfarë konsumon zakonisht një ambasador në mëngjes? Ushqim rus, ushqim shqiptar, një kombinim i të dyjave?

Amb: Mund të them se konsumoj ushqim kontinental. Po, po, kontinental. Pakëz qull, me suxhuk, kafe, ndonjë herë kos, ndonjëherë. Gjera të këtilla. Mjaftohem me kaq. Dhe më pas dreka është në orën 1 ose 1 e gjysëm.

Evi: Ushqeheni gjithmonë në ambasadë?

Amb: Jo, jo. Shkoj në rezidencë. (qesh)

Evi: Më pas vini këtu në ambasadë, dhe nisni ditën Tuaj. Si është një ditë në ambasadën ruse? A keni kërkesa, postë, gazeta?

Amb: Patjetër, patjetër. Janë tipike të një dite normale. Çdo diplomat e nis ditën e tij në këtë mënyrë. Personat e parë që takoj në zyrën time janë dy asistentët e mi. njëri është z. Anatoli, i cili është përgjegjës i zyrës së shtypit shqiptar. Dhe i dyti është z. Georgij, momentalisht nuk ndodhet këtu, i cili është asistenti i protokollit. Ky i fundit më raporton agjendën e ditës, dhe z. Anatoli më përditëson me lajmet më të fundit që të jem i informuar mbi ngjarjet e ditës. Njoftimet, lajmet, publikimet dhe si mediat online në anglisht, angazhohem personalisht me to. Më pas, mund të kemi korrespondencë nga Moska. Marrim raporte dhe instruksione nga Rusia. Kjo është një ditë normale.  Kur kemi takime, të cilat sigurisht i planifikojmë paraprakisht, marrim kërkesa nga persona që duan të takojnë ambasadorin. Asistentët e mi rregullojnë agjendën, konsultohen me mua dhe së bashku gjejmë datën e përshtatshme për të takuar të interesuarit.


Evi: Dhe kështu shkon dita.


Amb: Po, kështu shkon. Në mbrëmje, përpara se të izoloheshin prej pandemisë, dilnim thjesht për të bërë shëtitje përgjatë qytetit sepse në atë kohë Tirana ishte e panjohur për mua dhe kisha shumë interes të shikoja vende të ndryshme. Ose merrnim pjesë në pritje diplomatike ku takonim njerëz të ndryshme, nga organizata të ndryshme këtu në Shqipëri. Organizata sociale të cilat prisnin që të takonin ambasadorin rus. Po, po, dita ka qenë e mbushur plot. Tani është paska më ndryshe, si pasojë e kufizimeve ka më pak aktivitete. Edhe në ato pak raste kur ka aktivitete ne ushtrojmë masa të rrepta për të evituar çdo shqetësim. Në çdo takim ka një mjek të pranishëm. Zakonisht qëndroj në shtëpi ose një tjetër zakon që kam fituar këtu në Shqipëri është ecja. Unë eci shumë sëbashku me bashkëshorten time. Shkojmë në parkun e liqenit...

Evi: ...dhe ecni.

Amb: Po, eci (qesh).

Evi: Jemi tejet kurioz të dijmë mbi biografinë Tuaj. Unë e kam lexuar atë, por ajo çfarë doja të dija është: çfarë menduat në momentin e parë që Ju ofruan postin e ambasadorit, në Shqipëri? Dinit diçka mbi Shqipërinë? Ishte preferenca Juaj shpërngulja këtu, apo Ju caktuan?
Amb: Siç mund ta merrni me mend, karriera ime është diplomatike. Është e tillë sepse e kam zgjedhur vetë, dhe e arrita falë studimeve universitare. I bashkova shërbimit diplomatik në 1980-ën, që do të thotë tashmë janë bërë 40 vjet. Në atë kohë isha një djalosh, vetëm 24 vjeçar. Në atë kohë punoja më shpesh në Afrikë. Në fillim më caktuan në Xhibuti, një vend i vogël dhe i nxehtë në Bririn e Afrikës. Më pas në Nigeri, një vend afrikan i madh dhe i fuqishëm. Dhe më pas isha ambasador i Rusisë në Etiopi, në të njëjtën kohë isha përfaqësues i përhershëm i Federatës Ruse pranë organizatës të Bashkimit Afrikan që i ka zyrat ne Addis Abeba. Ndërmjet këtyre, më kanë emëruar në Francë. Frengjishtja është gjuha ime e parë e huaj. Dikur dija të flisja frengjisht shumë mirë (qesh)

Evi: Dhe pas Francës u shpërngulët këtu?

Amb: Pas Francës? Jo, pas Francës u angazhova në administratën qëndrore të Ministrisë sime. U bë një kohë e gjatë, 9 vite. U ktheva nga Etiopia në vitin 2010, dhe para caktimit tim këtu, kam qenë drejtor ekzekutiv i një departamenti teknik të sigurisë së informacionit në ministrinë time.

Evi: Dhe më pas erdhët këtu.

Amb: Po, erdha në Shqipëri

Evi: Shqipëria që, siç mund ta dini dhe Ju, është një e apasionuar pas kulturës ruse, artit rus, muzikës, baletit. Di gjithashtu që Ju pëlqen muzikës rock metal.

Amb: Nga e dini këtë? (Qesh).

Evi: Kam dhe une informacionet e mia (qesh).

Amb: Ke dhe ti burimet e tua (qesh).

Evi: Jemi një artdashës, sidomos me muzikën...

Amb: Po, paksa.

Evi: E dinit se Shqipëria ushtron gati të njëjtën kulturë si rusët, në lidhje me artin?

Amb: Në fakt jam shumë i vetdijshëm mbi këtë, dhe jam mjaft i lumtur. Kur po vija në Shqipëri, takova pothuajse të gjithë paraardhësit e mi që kanë shërbyer në këtë shtet, duke filluar nga 1990-a pas rikrijimit, rifillimit të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kështu që më mësuan shumë gjëra.

Evi: Gjëja e parë që Jë thanë? Një gjë, një të mirë e një të keqe.

Amb: Mbaj mend ambasadorin e parë që u emërua këtu pas rikrijimit të marrëdhënieve diplomatike, më tha që është një vend jashtëzakonisht i bukur, por më tha se ishit një vend shumë i varfër. Kjo ishte gjëja negative. Ka mendime te ndryshme mbi Shqipërinë, por më lejoni ta parashtrojë në këtë formë; unë nuk jam një djal i ri. Kur unë kam lindur, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin të mrekullueshme. Dhe e mbaj mend mirë kur këto marrëdhënie u prishën. Kishte një tension mes Hrushovit dhe Hoxhës. Kështu që dhe marrëdhëniet diplomatike u prishën. Vendet akuzuan njëra tjetrën për revizionizëm, maoizëm e shumë të tjera që nuk i di (qesh). Gjatë studimeve të mia shkollore kam qenë mjaft i apasionuar pas historisë. I kushtoja shumë vëmendje leximit të historisë, historisë së Europës, kështu që kisha një njohuri të caktuar mbi Shqipërinë gjithashtu.

E: Megjithatë, nuk e mbyllim këtu, pasi do të kisha shumë dëshirë të shihja në brendësi të ambasadës ruse, një ndërtesë historike që jam e bindur ka shumë për të na treguar. Mund të futemi brenda?

Amb: Patjetër që po, më pëlqen shumë kjo ndërtesë si edhe zona ku ndodhet për shkak se është qendra e qytetit. Jemi afër çdo institucioni shtetëror. Ambasada zviceriane është fqinji ynë, ndonjëherë thërras kolegun tim zvicerian për ta përshëndetur. Takohemi ndonjëherë, bisedojmë dhe pijmë një gotë kafe në hollin këtu.

Evi: Është një vend i mirë


Amb: Po, jemi zhvendosur këtu që në 2009-ën. Fatkeqësisht për mua, do të na duhet të lëvizim prej kësaj godine pas vetëm një vit më parë na është caktuar një tjetër godinë. Ende nuk jemi shpërngulur aty për shkak të pandemisë. Nuk mundëm të përshtatemi me ndërtesën ende përgjatë këtij viti, por në finalizim na duhet të shpërngulemi

Evi: Të presim e të shohim. Kur të shpërnguleni dua të futem dhe unë.

(Në ambasadë)

Evi: Z. Ambasador, ky është vendi Juaj, këtu jeni për ditë. Në fakt, ajo që të doja të pyesja është cilat janë kërkesat më të shpeshta që bëjnë shqiptarët në ambasadën Tuaj?

Amb: Detyra e çdo ambasade, përkatësisht, edhe e kreut të saj, ambasadorit është të punojë me përfaqësuesit e vendit pritës. Ne jemi këtu për të punuar me qytetarë, organizata dhe figura zyrtare të Shqipërisë. Në kohë të zakonshme, para shfaqjes së pandemisë, diskutoheshin kryesisht çështje që lidhen me zhvillimin e bashkëpunimit midis vendeve tona. Veçanërisht, në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit.

Gjithashtu, një pjesë të mirë të kohës sonë e zinin çështjet e vizave. Mjaft shqiptarë udhëtonin në Rusi për një larmi arsyesh: qëllime biznesi, vendosje kontaktesh në kuadrin e lidhjeve kulturore apo arsimore, turizmi.

Një aspekt tjetër i punës në ambasadë është dhënia e ndihmës bashkatdhetarëve rusë me banim të përhershëm në Shqipëri. Meqë ra fjala, të tillë nuk ka pak në Shqipëri. Kemi rreth 400 persona të regjistruar vetëm në ambasadë. Kryesisht janë gra ruse të martuara me shqiptarë. Mund të raportoj me kënaqësi se gratë ruse nuk ankohen për fatin e tyre në Shqipëri.

Evi: Do të doja të qëndroja pak tek raportet mes dy shteteve, midis Rusisë dhe Shqipërisë. Si i konsideroni sot?

Amb: Nëse do të vlerësonim marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë në tërësi, mund të themi se janë marrëdhënie të mira, pozitive, miqësore. Lidhjet historike kanë nisur që në shekullin XIX, në një kohë kur Shqipëria po luftonte kundër sundimit osman, dhe Rusia, nga ana e saj, po luftonte Perandorinë Osmane në Ballkan. Ju e dini se Rusia u bë një ndër gjashtë shtetet-garante të pavarësisë së principatës së re shqiptare. Në vitet 1920 Rusia Sovjetike u përpoq të vendoste marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, por për shkak të vështirësive të lidhura me luftën e brendshme politike në shtetin shqiptar, këto marrëdhënie nuk patën zhvillim. Sidoqoftë marrëdhëniet midis dy vendeve filluan: mund të përmend këtu faktin se në Rusinë Sovjetike ndodhej një mision i posaçëm shqiptar, i cili merrej me çështjen e riatdhesimit në atdheun historik të arnautëve (shqiptarëve etnikë), të cilët jetonin në jug të Rusisë.

Evi: Duke qëndruar pak tek raportet. Për sa i përket raportit dhe pozicionimit që ka Rusia për njohjen e Kosovës. Në cilën pikë ato ndodhen aktualisht?

Amb: Ju e dini se Rusia aktualisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Sipas mendimit të Rusisë, bazë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka qenë dhe mbetet rezoluta përkatëse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Të gjitha palët në konflikt duhet të veprojnë brenda kornizës së kësaj rezolute. Në këtë etapë Federata Ruse e ka mirëpritur nisjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Ne disa herë e kemi nënvizuar qëndrimin tonë: Rusia pranon çdo zgjidhje që do të arrihet nga të dyja palët. Nëse kjo zgjidhje nënkupton pavarësinë, Rusia do ta njohë pavarësinë. E vetmja gjë, për të cilën ne insistojmë, është që çdo vendim që do të merret si rezultat i zhvillimit të një dialogu, duhet të miratohet nga një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Pengesa të tjera për zgjidhjen e problemit të Kosovës ne nuk shohim.

Evi: Ndërkohë do vazhdoj të pyes për sa u përkët disa ngjarjeve që kishin ndodhur para disa kohësh dhe në të cilat ishte përmendur shteti rus – shpallja e diplomatit rus persona non-grata dhe është folur shumë për vaksinën ruse. Çfarë komentin keni?

Amb: Ne kemi vënë re një reagim mjaft të ashpër të një pjese të caktuar të opinionit publik shqiptar, përsa i përket deklaratës së MPJ-së së Rusisë në lidhje me mendimet e shprehura të një prej figurave politike kosovare, z. R.Haradinaj. Mendoj se vlerësimet e disa komentuesve janë paksa të ekzagjeruara. Çështja është se Moska nuk mund të mos shprehë mendimin e saj mbi deklaratën, e cila pengon përparimin e mëtejshëm normal të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Meqë ra fjala, një deklaratë analogjike me tonën u bë edhe nga Bashkimi Evropian, por, s’di përse, askush nuk i kushtoi vëmendje. 

Sa i përket shpalljes “persona non grata” të një prej diplomatëve të mi, këtë moment ne tashmë e kemi komentuar në faqen tonë në “Facebook”.  Ne i konsiderojmë të pabaza pretendimet në adresë të tij. Pala shqiptare nuk ka paraqitur asnjë konfirmim të fakteve të shkeljes nga z.A.Krivoshejev të ndonjë mase anti-kovid. Deklarata përkatëse e MEPJ-së së Shqipërisë përmban pasaktësi faktike, të cilat hedhin poshtë pohimet kundër diplomatit. Megjithatë, nuk ka më kuptim të flasim për këtë.

Moska vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare (e theksoj, të qeverisë dhe jo të MEPJ-së, sepse vendime të tilla mund t’i marrë vetëm qeveria e një vendi) si provokim. Asnjëherë më parë në historinë e diplomacisë dëbimet nuk kanë çuar në përmirësimin e marrëdhënieve. Ndjejmë keqardhje të madhe për këtë vendim, pasi autoritetet shqiptare nuk mund të mos supozonin se do të kishte një përgjigje nga Rusia. Unë nuk e di si do të përgjigjet, në fund të fundit, Moska, pasi, siç e thashë, vendime të tilla merren nga qeveria. Por kjo nuk mund të mos çojë në një përkeqësim të marrëdhënieve tona. Prandaj, fjalët se qeveria shqiptare është e angazhuar për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, i konsideroj hipokrite. Sidoqoftë, unë jam thellësisht i sigurt dhe shpresoj që maturia përfundimisht do të mbizotërojë dhe marrëdhëniet tona do të kthehen në një axhendë pozitive dhe miqësore.

Për vaksinën. Siç e dini, rreth vaksinës dhe përdorimit të saj të mundshëm në Shqipëri, ne gjithashtu patëm një lloj “mosmarrëveshjeje” virtuale me palën shqiptare. Në këtë drejtim, unë do t’ju tregoj një shaka të vogël. Cili është ndryshimi midis një gjenerali dhe një diplomati? Kur gjenerali thotë “po” është po, kur thotë “jo” është jo. Nëse ai thotë “ndoshta”, ai nuk është një gjeneral. Në këtë kontekst, unë do të thosha një “po” të fortë. Mundësia e bashkëpunimit në këtë fushë ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë. Në Rusi është ngritur një organ i posaçëm i autorizuar, i cili është i gatshëm të negociojë me çdo vend për blerjen e vaksinës ruse. Ky është Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili negocion me partnerë, pavarësisht nga gjendja e marrëdhënieve dypalëshe dhe qejfmbetjet e mundshme reciproke. Mjafton të përmbushen vetëm dy kushte: gatishmëria për të zhvilluar bisedime dhe mundësia e regjistrimit të vaksinës ruse në atë vend, i cili supozon ta përdorë atë. Rusia niset nga fakti që lufta kundër koronavirusit është lufta jonë e përbashkët. Nëse ne e humbasim atë, ai që do të humbasë është njerëzimi. 

Evi: Ju falenderoj për përgjigjen që na dhatë. Do të doja tani të kthej fokusin tek jeta Juaj e përditëshme. Po vjen fundjava, zoti Ambasador. Zakonisht si e shpenzoni fundjavën? Bashkë me bashkëshorten Tuaj? Udhëtoni në Shqipëri, keni udhëtuar? Keni vizituar qytete të tjera?

Amb: Faleminderit për këtë pyetje. Është pjesa më e këndëshme e misionit tim në Shqipëri. Tashmë e kam thënë se kam ardhur këtu me bindjen se Shqipëria është një vend shumë interesant dhe i bukur. Që nga dita e parë u binda për këtë nga përvoja përsonale. Ndoshta është e vështirë të gjesh në mjedisin e afërt një vend të tillë, në të cilin në një sipërfaqe të vogël toke të ketë edhe male të mbuluara me dëborë, edhe det të kaltër, fruta subtropikale, qendër për ski, kanione ndër më të bukurit. Unë dhe bashkëshortja ime nuk jemi të dhënë pas turizmit në plazh. Por deti shqiptar, veçanërisht pjesa e Jonit, ka fituar zemrat tona. Ne kemi vizituar shumë qytete, kemi udhëtuar pothuajse nëpër gjithë Shqipërinë. Kemi qenë në Korçë, në jug të vendit – në Vlorë dhe rrethinat e saj, Sarandë, Berat, Shkodër dhe në një prej qyteteve më të dashura për mua, në Gjirokastër. Unë jam thjesht i mahnitur prej tij. Fatkeqësisht, tani, për shkak të kufizimeve të pandemisë nuk kemi patur mundësinë të qëndrojmë në qytete për disa ditë. Jemi të detyruar të udhëtojmë brenda ditës. Kjo kufizon mundësinë për të eksploruar vendet më të bukura në Shqipëri. Pres me padurim heqjen e kufizimeve, në mënyrë që të njoh më mirë këtë vend dhe të zhvilloj udhëtime, të paktën një javore.

Evi: Cilat janë diferencat dhe ngjashmeritë që kanë shqiptarët me rusët?

Amb: Besoj se njerëzit janë njësoj kudo. Çdo popull ka jetën, shqetësimet dhe frikën e vet. Sidoqoftë, ata gëzohen apo lumturohen nga të njëjtat gjëra - mirëqenia, dashuria, shëndeti dhe siguria. Nga kjo pikëpamje njerëzit janë të ngjashëm. Karakteristikat e miqve tanë shqiptarë, të cilat më pëlqejnë më shumë, janë çiltërsia, gatishmëria për të ndihmuar, të ftojnë në shtëpitë e tyre dhe ndajnë me ty gjërat e fundit që kanë. Një gjë tjetër që më pëlqen dhe mendoj se më mungon në vendin tim janë familjet e mëdha. Unë e di që shumë familje këtu jetojnë me tre breza, të gjitha së bashku, dhe kjo është e mrekullueshme. Fatkeqësisht, në Moskë dhe në Rusi në përgjithësi, e cila po urbanizohet gjithnjë e më shumë, familjet janë copëzuar dhe ndarë si në qeliza të vogla. Unë mund të jap shembullin e familjes sime. Në familjen e nënës sime ishin 10 fëmijë - 5 vëllezër dhe 5 motra. Nëna ka lindur vetëm dy fëmijë: mua dhe motrën time të madhe. Unë dhe motra kemi vetëm nga një fëmijë. E shihni se si familjet janë copëzuar. Për shembull, unë kam dekada që s`kam parë disa prej kushërinjve të mi të shumtë (kam më shumë se 30). Dhe kjo më trishton shumë.

Evi: Zoti Ambasador, unë nuk do të doja të merrja shumë kohën Tuaj. Para se të mbyllim këtë intervistë, duke Ju falenderuar për kohën Tuaj, unë do të doja një mesazh nga Ju për shqiptarët.

Amb: Unë do të isha i lumtur ta bëja atë në shqip, por, për fat të keq, unë ende nuk kam njohuri të mira të gjuhës suaj, kështu që unë do ta bëj atë në rusisht. Do të dëshiroja t’u uroja shqiptarëve lumturi. Lumturia është një koncept shumëplanësh, i cili përbëhet nga shumë gjëra. Duke filluar nga shëndeti, mirëqenia në familje dhe deri në arritjen e të gjitha synimeve politike që aspiron vendi. Njerëzit do të jenë të lumtur, nëse këto ide zbatohen. Unë dua t’ju uroj përmbushjen e gjithçkaje që ju vetë ëndërroni. Dhe si ambasador, do të isha i lumtur nëse miqtë tanë shqiptarë do të ndienin sado pak se rusët i ndihmuan ata të bëhen pak më të lumtur.

Pjesa I - https://www.youtube.com/watch?v=om-GWwPa3Zw

Pjesa II - https://cutt.ly/jkQRZmj