Artikulli i Ambasadorit Rus në Shqipëri Mikhail Afanasiev "Rusia dhe Shqipëria: E kaluara dhe e ardhmja", gazeta "DITA", 13 Qershor 2020
13 Qershor

Artikulli i Ambasadorit Rus në Shqipëri Mikhail Afanasiev "Rusia dhe Shqipëria: E kaluara dhe e ardhmja", gazeta "DITA", 13 Qershor 2020

Më datë 12 qershor Rusia kremton festën e saj kombëtare. Në këtë ditë, 30 vjet më parë, u miratua “Deklarata për Sovranitetin Shtetëror të Republikës Federative Socialiste Sovjetike Ruse” (kështu quhej atëherë Federata Ruse, e cila ishte pjesë e BRSS). Rusia fitoi pavarësinë e plotë më 26 dhjetor 1991 me miratimin e Deklaratës për shpërbërjen e BRSS. Shteti rus u njoh menjëherë nga bashkësia ndërkombëtare si shtet pasardhës i Bashkimit Sovjetik duke trashëguar statusin e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë mënyrë, Rusia nuk është një “shtet i sapoformuar”, por një vend i madh me një histori shumëshekullore, i cili ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në çështjet evropiane dhe botërore. Përmasat e zbulimeve gjeografike të pionierëve dhe zbuluesve rusë jo vetëm të lënë pa fjalë, por edhe shpjegojnë sipërfaqen e madhe territoriale të Rusisë. Në veçanti mund të përmendim shtrirjen e rusëve në thellësi të Siberisë, zbulimin e Alaskës nga S. Dezhnev në vitin 1648., ekspeditën e parë ruse në Antarktidë të kryesuar nga F.Belinsgauzen dhe M.Lazarev (1819-1821), pushtimin e Azisë Qendrore etj. Populli rus ka një fat të vështirë. Për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike të vendit tonë, atij i është dashur të përballojë luftëra të shpeshta, beteja kundër pushtuesve të huaj, zgjedhën e mongolëve, pushtimin nga Polonia në vitin 1612, luftërat e vazhdueshme me Turqinë, konfliktet me Persinë në jug të vendit, fushatën e Napoleonit në vitin 1812, pjesëmarrjen dhe heroizmin e pashembullt të qytetarëve rusë në të dyja luftërat botërore. Këta faktorë përcaktuan më së shumti edhe karakterin kombëtar rus. Zgjerimi territorial i Rusisë erdhi si pasojë e frikës për sigurinë e kufijve, e dëshirës për të larguar rrezikun ndaj ekzistencës. Këtë lidhje të ndërsjellë e kanë trajtuar shumë historianë të huaj, në veçanti, Henry Kissinger në veprën e tij “Diplomacia”.

Në këtë artikull kushtuar ditës kombëtare të vendit tonë, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj ato ngjarje dhe personazhe që kanë bashkuar popujt e Rusisë dhe Shqipërisë përgjatë gjithë historisë më shumë se 100 vjeçare të marrëdhënieve dypalëshe. Dhe, më besoni, materiale në këtë temë gjejmë sa për të shkruar një libër të madh. Për fat të keq, në shtypin e sotëm shqiptar mund të hasim materiale mjaft tendencioze, në të cilat historia e ndërveprimit të vendeve dhe popujve tanë nuk merret parasysh, ndërsa imazhi i Rusisë shihet në një prizëm negativ. Veçanërisht ngjall trishtim niveli i retorikës politke, i cili jo rrallë herë është konfrontues duke shkaktuar një keqardhje të madhe (ju kujtoj rezolutën mjaft të qartë antiruse të miratuar nga parlamenti shqiptar në dhjetor 2019, në të cilën Rusia përmendet disa herë si një “kërcënim” ndaj Shqipërisë). Fatmirësisht, një qëndrim i tillë nuk ka përcaktuar gjithmonë marrëdhëniet dypalëshe. Ai ka qenë më shumë një përjashtim, se një rregull i përgjithshëm.

Jam i sigurtë se marrëdhëniet e ngrohta miqësore të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore midis popujve tanë (të cilat shumë njerëz ende vazhdojnë t’i kujtojnë) shpjegohen kryesisht me fatin e tyre të ngjashëm. Historianët që kanë studiuar historinë e Shqipërisë, në veçanti N.D.Smirnova dhe B.Fisher, kanë përmendur lidhjen e ndërsjellë të karakterit kombëtar të shqiptarëve me luftën e tyre kundër zgjedhës së shteteve të huaja. Gjithashtu, popujt tanë mund të mburren me bashkëjetesën shumëshekullore e të paqtë të feve dhe besimeve të ndryshme. Në Rusi bashkëjetesa fetare kushtëzohet nga përbërja shumëkombëshe e vendit, i cili ka në përbërjen e tij përfaqësues të rreth 140 (!) popujve.

Mendoj se nuk është e nevojshme të përshkruaj rolin e madh të Perandorisë Ruse në çlirimin e rajonit të Ballkanit në shekujt XVIII-XIX. Vetëm në këtë periudhë midis perandorive Ruse dhe Osmane janë zhvilluar 9 luftëra. Dihet gjerësisht fakti i letrave të banorëve të Himarës (të cilët më pas dërguan edhe delegacionin e tyre në Petërburg) adresuar në vitin 1759 perandoreshës Elizabeta Petrovna. Banorët e rajonit - shqiptarë dhe grekë - kërkonin ndërhyrjen e sundimtares ruse në mbështetje të të krishterëve ortodoksë vendas duke premtuar, nga ana e tyre, se do të luftonin përkrah ushtrisë perandorake ruse kundër Portës së Lartë.

Kontaktet midis Petërburgut dhe përfaqësuesve të popullit shqiptar vazhduan edhe në shekullin e XIX. Në vitin 1860 gjyshi i Ahmet Zogut, Xhelal Pasha Zogolli ka kontaktuar me diplomatët e Perandorisë Ruse, të cilët e kanë mbështetur atë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Dihet edhe udhëtimi i tij në Shën Petërburg, me një pasaportë ruse të falsifikuar, ku është pritur nga perandori Aleksandri II. 

Në arkivat ruse ruhen raportet e diplomatëve rusë në Podgoricë, Bitola dhe Shkup mbi luftën çlirimtare të popullit shqiptar deri në vitin 1912. Më pas, në etapën përfundimtare të Luftërave Ballkanike, Rusia mbështeti krijimin e shtetit shqiptar. Më 29 korrik 1913 Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të Evropës e shpalli Shqipërinë principatë autonome të trashëgueshme. Në afate të shkurtra Shën Petërburgu mori vendimin për njohjen e Shqipërisë dhe u bë një nga 6 shtetet garante të pavarësisë së vendit. Pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Durrës, deri në në momentin e evakuimit të tij, ka punuar edhe diplomati i talentuar rus, Aleksandër Petrjajev, i cili në vitin 1917 do të emërohej në Qeverinë e Përkohshme të Rusisë si Zv/Ministër i Punëve të Jashtme. Për komunikimin e vazhdueshëm midis patriotëve shqiptarë dhe diplomatëve rusë në Ballkan ka folur edhe themeluesi i shtetit shqiptar, “ati” i pavarësisë, Ismail Qemali, i cili në kongresin mbarëshqiptar (nëntor 1912) deklaroi se krahas një sërë vendesh evropiane, “edhe Rusia, përkrahësja e sllavëve” ka mbështetur çështjen e drejtë të popullit shqiptar.

Lidhur me këtë, konstatohet në korrik 1914 edhe vizita e parë e nivelit të lartë të një përfaqësuesi shqiptar, kryeministrit Turhan Pasha Përmeti, në Petërburg, ku u takua me Ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Sazonov. Ata e njihnin mirë njëri-tjetrin, pasi para kthimit të tij në Shqipëri, Turhan Pasha ka shërbyer si ambasador i Portës së Lartë në Petërburg, ku edhe ka patur mundësinë e kontakteve joformale me Sazonovin. Marrëdhëniet miqësore midis tyre kanë lejuar zhvillimin e bisedave mjaft të sinqerta lidhur me vlerësimin e diplomacisë ruse për shtetin e ri. Sazonov nuk ka shprehur kundërshtime për kurorëzimin e Princ Vidit, por ka deklaruar me vendosmëri se nuk do të dërgojë “asnjë ushtar rus” për të ruajtur rendin e brendshëm në Shqipëri. Dukej e qartë se që atëherë Rusia nuk kishte ndërmend të ndërhynte në punët e brendshme të shtetit të ri.

Marrëveshjet e arritura më parë u rrëzuan gjatë Luftës së Parë Botërore. Kështu, vendet e Antantës nënshkruan mes tyre një seri marrëveshjesh sekrete, njëra prej të cilave, siç dihet, parashikonte ndarjen e Shqipërisë. Qeveria e re sovjetike e ardhur në pushtet si rezultat i revolucionit, publikoi dhe anuloi këto dokumente. Prandaj, duke patur parasysh rritjen e lëvizjeve nacionalçlirimtare në Evropë (që ishin kryesisht efekt i Revolucionit të Tetorit), ishte i pamundur zbatimi i mëtejshëm i tyre.

Midis nesh Rusia Sovjetike ishte e para, që në janar 1923, propozoi vendosjen e marrëdhënieve me Tiranën, por mori një refuzim të sjellshëm. Sidoqoftë, nga viti 1920 de facto marrëdhëniet midis dy vendeve tashmë ekzistonin. Misioni shqiptar në jug të vendit punoi për kthimin në atdhe të arnautëve, disa breza të të cilëve jetuan në jug të Ukrainës dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në imazhin e Odesës para-revolucionare.

Më pas, BRSS ishte shteti i parë që propozoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona. Në fillim të vitit 1923, në përgjigje të kërkesës përkatëse të Komisarit Popullor të Punëve të Jashtme, Georgij Çiçerinit, Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Pandeli Evangjeli deklaroi se qeveria shqiptare nuk mund të dalë para fuqive perëndimore në këtë çështje. “Ditën, kur Qeveria Ruse do të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me ta, - shkruante ai, - populli shqiptar do të jetë i lumtur të ketë në Shqipëri përfaqësuesin e Shtetit të Madh Rus”. Në shkurt 1924 Anglia dhe Italia njohën BRSS, pas kësaj pala shqiptare filloi të shqyrtojë mundësinë e hapjes së konsullatës në Odesë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve të saj që jetonin në Rusi. Pas ardhjes në pushtet të Fan Nolit, rivendosja e marrëdhënieve midis dy vendeve ishte pranë realizimit, por, për shkak të pavendosmërisë së kryeministrit të ri, lidhur me qëndrimin armiqësor të qeverive evropiane ndaj Bashkimit Sovjetik, ndodhi incidenti i famshëm. Pas shkëmbimit të notave respektive për njohjen e shteteve, përkatësisht në qershor dhe shtator 1924, Përfaqësuesi i Plotfuqishëm i Rusisë, Arkadij Krakoveckij, si edhe shtatë punonjës të misionit diplomatik mbërritën më 16 dhjetor në Shqipëri, por u detyruan të largohen, për shkak të “presionit të ushtruar prej vendeve evropiane ndaj Tiranës”.

Ndërsa misioni sovjetik po largohej me nxitim nga Tirana, një grup i tërë bjellogardistësh (kundërshtarësh ideologjikë dhe politikë të bolshevikëve) hyri nga Jugosllavia në Shqipëri për të ndihmuar A. Zogun të vinte në pushtet për herë të dytë. Oficerët rusë, krahas mercenarëve të tjerë, ndihmuan shqiptarin të hyjë në kryeqytet dhe të forcojë regjimin e tij. Një numër i vogël qytetarësh rusë qëndruan në Shqipëri deri në pushtimin italian duke u marrë kryesisht me çështjet administrative.

Duke shqyrtuar marrëdhëniet tona dypalëshe, duhet të kihet parasysh se Shqipëria e viteve ‘20 dhe ‘30 ishte skenë e një lufte të ashpër ideologjike. Synimi ishte orientimi politik i shtetit të ri shqiptar, si edhe përgjigja ndaj pyetjes se kë do të përkrahë lëvizja nacionalçlirimtare shqiptare. Pas Revolucionit të Tetorit, BRSS u shndërrua, për një periudhë 15 vjeçare, në sponsorin kryesor të një numri organizatash revolucionare, para së gjithash të organizatës KONARE të krijuar në Vjenë (Komiteti Nacional-Revolucionar), e cila më pas u shndërrua në Komitetin e

Çlirimit Kombëtar. Një plejadë e tërë udhëheqësish kombëtarë shqiptarë kishte marrëdhënie mjaft të ngushta me diplomatët sovjetikë dhe zyrtarët e Kominternit, kryesisht, për arsye të simpatisë së tyre për idetë komuniste. Komunistët sovjetikë u mësuan shqiptarëve të zhvillonin një luftë të fshehtë, të shpërndanin literaturë propagandistike duke i përgatitur ata për një kryengritje kombëtare. Kështu, në materialin e Seksionit të huaj të OGPU-së në fillim të vitit 1928 shkruhej se “këto organizata, që ende nuk ishin forcuar dhe sapo kishin filluar të mësonin bazat e lëvizjes masive, duhej të punonin në kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak të shtimit të numrit të armiqve kundër lëvizjes shqiptare kombëtare revolucionare. Serbët, italianët, grekët, anglezët, qeveria e Ahmet Zogu janë forca kundërshtare”. Megjithatë, lidhur me faktin e sipërpërmendur, komunistët pranonin se kishte pak mundësi për formimin e një lëvizjeje revolucionare kombëtare, pasi në vend mungonte proletariati, ndërsa fuqia punëtore ishte analfabete dhe ndodhej nën zgjedhën e feudalëve. Flamurtari i lëvizjes ishte inteligjenca, por edhe ajo, gjithashtu, ishte jashtëzakonisht e pakët në numër.

Një vëmendje të veçantë meritojnë edhe lidhjet shpirtërore me Rusinë të peshkopit ortodoks dhe politikanit Fan Noli. Një rol të madh në formimin e figurës së këtij prifti, shkrimtari dhe diplomati të shquar luajti, ndër të tjera, edhe vizita në Perandorinë Ruse dhe njohja me Kishën Orthodhokse Ruse. Nuk është rastësi që, kur një grup famullitarësh të rinj, të udhëhequr prej tij, nisën luftën për të drejtën e zhvillimit të liturgjive në gjuhën shqipe, ai iu drejtua për ndihmë sinodit të Kishës Ortodokse Ruse. Më 8 Mars 1908 në Katedralen e Shën Nikollës në New York, Kryepeshkopi Platon (Rozhdestvensky) caktoi Fan Nolin si prift dhe bekoi përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat kishtare. Me këtë akt u krijua një ndarje de facto nga Patriarkana e Kostandinopojës dhe kisha shqiptare në Boston u konsiderua një degë e kishës ruse në Amerikë. Më pas F. Noli do të vazhdojë rrugëtimin e tij vërtet emocionues të jetës. Ai do të bëhet një udhëheqës i njohur i bashkatdhetarëve shqiptarë në SHBA dhe do të luajë për Shqipërinë një rol të ngjashëm me atë që i moshuari B. Franklin luajti për shtetin e ri të SHBA-ve në shekullin e XVIII në Paris. Nga revolucionar ai do të ngjisë shkallët deri te karrigia e kryeministrit e anasjelltas dhe do të vizitojë, gjithashtu, Moskën Sovjetike.

Një etapë tjetër e rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore midis BRSS dhe Mbretërisë Shqiptare në shtator 1934. Pushtimi fashist i Shqipërisë, që pasoi në prill 1939, u shoqërua nga heshtja dhe reagimi i ngathët i Fuqive të Mëdha kryesore. Një qëndrim i tillë ishte për Moskën një sinjal tjetër i rëndësishëm për fillimin faktik të luftës në kontinentin evropian.

Në kulmin e Betejës së Stalingradit institucionet e politikës së jashtme të vendeve aleate të Trojkës mbështetën popullin shqiptar në luftën kundër pushtuesve. Në deklaratën e Komisariatit Popullor të Punëve të Jashtme të BRSS më 18 dhjetor 1942 hidheshin poshtë pretendimet e imperializmit italian mbi Shqipërinë. Shprehej besimi se “lufta e popullit shqiptar për pavarësi do të shkrihej me luftën çlirimtare të popujve të tjerë ballkanas të shtypur nga pushtuesit italo-gjermanë. Këta popuj, në aleancë me vendet e tjera liridashëse, do të dëbonin pushtuesin nga toka e tyre”. Me rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë ishte fakti se BRSS, në kulmin më të lartë të luftës, këmbëngulte se “ndërtimi shtetëror në Shqipëri është një çështje e brendshme dhe duhet të zgjidhet nga vetë populli shqiptar”(po në të njëjtin dokument). Kontributi i mëvonshëm i Shqipërisë në luftën e përbashkët kundër pushtuesve u vlerësua shumë nga popujt e vendeve tona duke u bërë themeli i marrëdhënieve dypalëshe. Kjo, për shembull, theksohet në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPSH-së dërguar Ambasadës së BRSS-së në vitin 1961, në një kohë, kur marrëdhëniet midis vendeve po përkeqësoheshin me shpejtësi: “Republika Popullore e Shqipërisë që nga themelimi i saj, pas fitores së luftës nacionalçlirimtare mbi pushtuesit nazifashistë (...), vendosi në bazat e politikës së jashtme miqësinë e përjetshme dhe të pathyeshme me Bashkimin Sovjetik. Kjo miqësi është farkëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kalitur nga Partia e Punës së Shqipërisë pas çlirimit të vendit ... Populli shqiptar i edukuar nga Partia e tyre e Punës e shihte gjithnjë Bashkimin Sovjetik si çliruesin, mikun e tij më të dashur”. Megjithë patosin e caktuar të këtyre fjalëve, ato në përgjithësi pasqyronin natyrën e marrëdhënieve midis popujve tanë në periudhën e pasluftës, deri në vendimin politik për ndërprerjen e tyre.

BRSS ishte aleati i vetëm i Trojkës që vendosi marrëdhënie me Tiranën e pasluftës. Nota përkatëse u dorëzua nga përfaqësuesi sovjetik më 10 nëntor 1945. Pas kësaj fillon periudha më e ndritur e historisë sonë të përbashkët. BRSS luajti rolin e donatorit kryesor të ekonomisë shqiptare duke shprehur gatishmërinë e tij për plotësimin, në thelb pa pagesë, të kërkesave shtesë të udhëheqjes së PPSH-së. Prindërit e politikanëve aktualë janë të vetëdijshëm se sa shumë përpjekje dhe mjete financiare ka investuar BRSS në formimin e sektorëve të tërë të ekonomisë, infrastrukturës, disa prej të cilave ekzistojnë edhe sot. Në veçanti, është e nevojshme të theksohet roli i Bashkimit Sovjetik në rilindjen kulturore dhe arsimore të vendit, studentët shqiptarë u përgatitën në bankat e institucioneve të shumta arsimore sovjetike si ekspertë në fusha të ndryshme të shkencës, prodhimit dhe artit. Megjithëse treni aktual i ngjarjeve po i largohet gjithnjë e më shumë “stacionit të ditëve të kaluara”, për mua është plotësisht e pakuptueshme se si disa “analistë” vendas mund të fajësojnë për armiqësi një popull, që në periudhën më të vështirë të shkatërrimit të pasluftës, “hoqi bukën nga goja e vetë” për të ndihmuar “vëllezërit shqiptarë”. BRSS dha një kontribut vendimtar në industrializimin e vendit duke e shndërruar atë, brenda një periudhe 15 vjeçare, nga një vend agrar të prapambetur në një vend agro-industrial (vetë Perandorisë Ruse iu deshën dekada për ta bërë këtë).

Popujt tanë i bashkon, gjithashtu, kujtimi i përbashkët për fatet tragjike të viktimave të regjimeve totalitare. Një sërë liderësh të partisë shqiptare (Liri Belishova, Koço Tashko etj) u përndoqën nga E. Hoxha, vetëm sepse hodhën dyshime mbi racionalitetin e politikës së ndërprerjes së marrëdhënieve me BRSS. Më tej, një fat i palakmueshëm preku pjesën më të madhe të grave sovjetike që vendosën të qëndrojnë në Shqipëri me burrat e tyre. Shpresoj që së shpejti shikuesit shqiptarë do të mund të shohin filmin ruso-shqiptar, bazuar në librin e I. Kadare “Sorkadhet e trembura”dhe kushtuar kësaj faqeje të hidhur në historinë tonë.

Pati edhe shqiptarë, të cilët të papërgatitur nga ndërprerja e menjëhershme e marrëdhënieve, vendosën të mos kthehen në atdheun e tyre dhe të qëndrojnë në Bashkimin Sovjetik. Në mesin e atyre, që morën një vendim kaq të vështirë, është partizani shqiptar i Luftës së Dytë Botërore, Jani Kiço Lufi, i cili më pas bëri një karrierë të shkëlqyeshme në ushtrinë Sovjetike dhe doli në pension në gradën e Gjeneral Majorit. Vlen të përmendet edhe një partizan tjetër shqiptar, Selman Lameborshaj, i cili u bë një ekspert i shquar rus në fushën e pylltarisë. Më datë 9 maj të këtij viti pata nderin e madh të bisedoja me ta në telefon dhe t’i uroja personalisht për 75 vjetorin e Fitores së Madhe. Zoti u dhuroftë shëndet dhe jetë të gjatë!

Vendet tona rivendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1990. Pauza 30- vjeçare duhej të kishte një ndikim negativ në perceptimin e ndërsjellë të të dy popujve. Në fund të fundit, gjatë gjithë kësaj kohe në propagandën zyrtare shtetërore të Shqipërisë BRSS ishte vlerësuar si një armik ideologjik. Por, bota kishte ndryshuar tashmë, Lufta e Ftohtë ishtë zhytur në harresë, dhe, siç dukej në fillim, fryma e bashkëpunimit dhe paqes do të mbretëronte në Evropë për një kohë të gjatë. Megjithatë, realiteti ishte shumë më i ashpër: Jugosllavia u rrëzua nën peshën e konflikteve të brendshme dhe agresionit të huaj, vendet e Evropës Lindore me suksese të ndryshme u futën në shtegun e transformimit të dhimbshëm. Rusia në vitet ‘90 pësoi një krizë katastrofike ekonomike, një rënie demografike, një rritje të krimit; Shqipërisë i ra për pjesë të përballej me bumin e madh të emigracionit, krizën piramidale dhe trazirat e vitit 1997. Mund të themi se popujt tanë, edhe njëherë, kaluan një periudhë të ngjashme historike.

Megjithatë, Rusia dhe Shqipëria përsëri filluan të zhvillojnë lidhje tregtare dhe humanitare. Udhëtimet e studentëve shqiptarë në Rusi rifilluan, fluksi i ndërsjellë turistik po rritet me ritme të ngadalta, por të qëndrueshme. Në dimensionin politik, për fat të keq, nuk mund të mburremi me arritje të mëdha. Vendet tona duhet të përpiqen të gjejnë pika me interes të ndërsjellë, të cilat, në të vërtetë, janë shumë më tepër, sesa mendojnë shumë njerëz. Bashkëpunimi zbut qoshet e mprehta, shkatërron themelet e antagonizmit dhe fobive ekzistuese (përfshirë edhe ato në opinionin publik). Historia e marrëdhënieve tona është një bazë e mirë për rifillimin e dialogut dhe rritjen e besimit. Ata që shprehin të kundërtën, ose nuk e dinë historinë, ose (edhe më keq) manipulojnë me vetëdije.