Back

Fjalimi i Ambasadorit te Rusisë ne Shqipëri z. Aleksander Karpushin me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit te Shqipërisë

Të nderuar pjesëmarrës!

Të dashur miq!

 

Ndihem mirë që sot jam bashkë me ju në këtë sallë. Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes, të nderuar veteranë, pjesëmarrësit e luftës çlirimtare, invalidët e luftës dhe nëpërmjet juve, edhe gjithë popullin heroik shqiptar me rastin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë. Në emër të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë më lejoni t’ju uroj nxehtësisht dhe përzemërisht për këtë festë të shënuar dhe t’ju uroj mirëqenie dhe shëndet të plotë.

            Është e njohur se Shqipëria ishte ndër vendet e para që nuk iu nënshtrua pushtimit dhe u ngrit kundër agresionit fashist. Shqipëria ishte edhe një nga vendet e pakta që u çlirua nga pushtuesit me forcat e veta pa ndihmën e ushtrive të huaja. Në një kohë shumë të vështirë për vendin rreth 70 mijë qytetarë shqiptarë i morën vullnetarisht armët në dorë. U krijua Ushtria Nacionalçlirimtare, u themelua një lëvizje partizane, çka në fund të fundit e bëri të mundur çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Po ashtu është e njohur se për çlirimin është paguar një çmim i lartë: në këtë luftë heroike nuk u kthyen nga fusha e betejës rreth 28 mijë bij dhe bija të popullit tuaj të vogël, por trim dhe liridashës. Sakrifikuan jetën për hir të shpëtimit të atdheut.

Në luftën e saj pa kompromis kundër fashizmit Shqipëria u radhit ndër vendet e koalicionit të madh antifashist, ku bënte pjesë si një nga anëtarët më aktivë dhe më të rëndësishëm edhe Bashkimi Sovjetik, shtet pasardhës i të cilit është Rusia. Ishte pikërisht Rusia që e mbajti barrën kryesore të Luftës së Dytë Botërore, e cila përbën një katastrofë më të madhe humanitare të shekullit të mëparshëm. Do të doja të kujtoja se vitin e ardhshëm në datën 9 maj edhe populli rus do te kremtojë me madhështi 70-vjetorin e Fitores së Madhe të popujve përparimtarë të botës.

Të nderuar pjesëmarrës, ne e vleresojmë lart faktin që Oganizata e Veteranëve të LANÇ-it,  Shoqata e Invalidëve dhe Oganizata e Familjeve të Dëshmorëve i kushtojnë vëmendje të posaçme ruajtjes së kujtesës historike kombëtare.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme pikërisht sot kur festohen datat e shënuara në lidhje me përfundimin e luftës dhe kur bëhen përpjekje shumë aktive për të rishikuar dhe për të falsifikuar rezultatet e saj. Në një sërë vendesh si në Ukrainë dhe në vendet Balltike po zhvillohet procesi i lavdërimit të fashizmit. Do të ishte një gabim i rëndë të nënvlerësonim rrezikun e një politike të tillë, e cila mund të çonte në ringjalljen e kësaj ideologjie antinjerëzore.

Në këtë ditë të shënuar ne përulemi me respekt të thellë para veteranëve dhe nderojmë të gjithë ata që kanë derdhur gjakun për çlirimin e Shqipërisë nga murtaja fashiste.

Veteranët e forcave të armatosura dhe të lëvizjes partizane, që janë të pranishëm këtu sot, duke treguar heroizmin dhe guximin, ia keni sjellë Shqipërise lirinë dhe pavarësinë, e keni ruajtur dhe e keni ngritur edhe më lart dinjitetin e kombit shqiptar. Pa asnjë dyshim, ju të gjithë meritoni respekt, vlerësim dhe qëndrim të veçantë nga ana jonë – nga ana e njerëzve të sotëm që ju detyrohemi juve për mirëqenie dhe për jetën tonë paqesore.

Dua t’ju shpreh mirënjohje të pakufishme dhe t’ju felënderoj edhe një herë për gjithçka.

Lavdi të rënëve dhe veteranëve të Luftës Çlirimtare!

Rroftë miqësia midis popujve tanë!