Back

Intervista e Ambasadorit Rus në Shqipëri Mikhail Afanasiev për emisionin “Ilva NOW” të kanalit televiziv “EURONEWS Albania”, 11 Qershor 2020

 

Ilva Tare: Rusia është një ndër vendet që është goditur më shumë nga pandemia e COVID-19. Është e treta në botë përsa i përket numrit të rasteve. Si është gjendja, si po e përballon Moska këtë vështirësi?

Mikhail Afanasiev: Për shkak të pozicionit gjeografik të Rusisë, të pjesëmarrjes së saj në shkëmbime ndërkombëtare, si edhe të veçorive të ekonomisë moderne globale, pandemia nuk mund të mos prekte edhe vendin tonë. Megjithatë, masat e ndërmarra në kohë të karantinës, mjekësia e fortë dhe bashkëkohore, të cilën ne arritëm të modifikonim sipas kërkesave të luftës kundër pandemisë, shkolla përparimtare epidemiologjike, financat e mjaftueshme financiare i kanë lejuar vendit tonë të përgatitej për ngritjen e kurbës së infeksionit dhe të kapërcente kulmin e epidemisë në mënyrë shumë më të butë, se një serë shtetesh të tjera. Fatkeqsisht, numri i të infektuarve është afërsisht gjysmë milionë njerëz, që është e pashmangshme duke marrë në konsideratë përmasat e vendit tonë (në Rusi banon më shumë se 140 milionë njerëz), ka viktima dhe numri i tyre po rritet. Por, nuk mund të mos vëmë në dukje se, për sa i përket vdekshmërisë nga koronavirusi, Rusia është në fund të listës së fuqive të mëdha botërore. Tashmë po kryhen provat klinike të vaksinës së përpunuar në Rusi kundër COVID-19. Ministria e Shëndetësisë ka dhënë pëlqimin e saj për përdorimin e disa ilaçeve ruse të krijuara nga zero për mjekimin efikas të koronavirusit, si edhe për kapërcimin e simptomave më të forta të lidhura me të. Numri i madh i rasteve të zbuluara të infeksionit shpjegohet me testimet e shumta të popullsisë – nga marsi u kryen më shumë se 13 milionë teste falas, vetëm në Moskë qindra mijë njerëz kanë bërë analiza për antitrupat. Presim se deri në korrik vendi ynë do të tejkalojë gjerësisht pasojat e pandemisë – jo rastësisht kufizimet e vendosura më parë tani masivisht po hiqen.

 

Ilva Tare: A ka humbje ekonomike dhe a rrezikon kjo pandemi që të zbehë rolin e Rusisë në botë ekonomikisht?

Mikhail Afanasiev: Për fat të keq, humbje ekonomike, si kudo, sigurisht do të ketë – prej disa muajsh në tërë Rusinë kanë qenë të kufizuar shumë sektorë të veprimtarisë ekonomike, që paraqisnin risqe të përhapjes së infeksionit, kanë qenë të mbyllura shumë biznese, humbje të mëdha pësuan trasporti, shërbimet. Dua të vë në dukje se qeveria ruse ka miratuar një program të madh stimulimi financiar për sektorët e biznesit, sipërmarrësit dhe popullsinë që kanë vuajtur nga pandemia. E rëndësishme është se pothuajse nuk u prekën degët formuese të ekonomisë. Gjatë 30 viteve të fundit nuk ishim përballur kurrë më një krizë të këtillë, ku u goditen më shumë bizneset e vogla dhe të mesme private, jo ato të mëdha. Jam i bindur se Rusia do të tejkalojë pasojat ekonomike të pandemisë dhe do të rimekëmbë ekoniminë brënda afateve malsimalisht të shkurtra.

 

Ilva Tare: Disa aktorë në SHBA dhe në arenën ndërkombëtare shpesh herë dhe me bindje ka thënë se ky virus nuk është natyral, por i krijuar në laborator. Cili është mendimi juaj?

Mikhail Afanasiev: Për sa i përket deklaratave të ndryshme për origjinën “gjoja” artificiale të koronavirusit, me sa di unë, virusologët profesionistë nuk janë shprehur për këtë. Janë më shumë nga fusha e teknologjive politike. Jam i bindur se kërcënimi i përbashkët duhet të bashkojë vendet dhe popujt, jo t’i ndajë, si, për fat të keq, po ndodh tani. Fatkeqësisht, veprimet demonstrative të një sërë partnerësh tanë ndërkombëtarë, përfshi edhe tërheqjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ose akuzat kundër vendeve të tjera për një “komplot” me qëllim përhapjen e virusit nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e këtij problemi të përbashkët afatgjatë, me të cilin po përballet njerëzimi.

 

Ilva Tare: Mesa kuptova unë, sipas qëndrimit zyrtar të Moskës ky nuk është virusi i krjijuar në laborator, është natyral?

Mikhail Afanasiev: Unë mund të gjykoj për këtë, nisur nga publikimet e medias. Sa i përket teorive konspirative të origjinës së koronavirusit, ato vijnë, para së gjithash, nga politikanët. Shkencëtarët seriozë flasin për nevojën e një studimi të thellë të këtij virusi. Përveç kësaj, qëllimi nuk është fshehja apo ndëshkimi i “fajtorëve” për shfaqjen e tij, por parandalimi i dukurive të tilla në të ardhmen.

 

Ilva Tare: Zoti Ambasador, tani do t`Ju pyes për një tjetër virus, i cili prej ditësh mban marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë të ngrirë apo në nivel zero. Sipas gjykimit tuaj, përse Rusia ende nuk po gjen hapësirën e duhur për t’u futur në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Çfarë roli ka Rusia në Shqipëri dhe përse e ka të vështirë të krijojë marrëdhënie?

Mikhail Afanasiev: Do t`Ju them sinqerisht se Rusia është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat. Në Moskë mendojnë se për këtë ekzistojnë të gjitha parakushtet e nevojshme. Në botën e sotme raportet ndërtohen në bazën pragmatike me leverdi të ndërsjellë. Nese do të merrni, për shëmbull, kontaktet e Rusisë me vendet fqinjë të Shqipërisë, si për shembull, me Turqinë, Greqinë, Italinë dhe shtetet e ish-Jugosllavisë, ju do të shihni se me shumicën e tyre Rusia ka raportet normale, të fqinjësisë së mirë, të cilat përforcohen nga bashkëveprimi në fushat e ekonimisë, kulturës dhe shkencës. Fatkeqësisht, forma të tilla bashkëpunimi janë shumë të pakta dhe kjo nuk është për shkak të palës ruse. Vitet e fundit ne nuk kemi parë lëvizje pozitive nga pala shqiptare në këtë drejtim. Siç dihet, miqësinë e bëjnë dy palë. Rusia është e hapur për bashkëpunim, është e gatshme të zhvillojë marrëdhënie dypalëshe me Shqipërinë.

Nga ana jonë “letrat janë të hapura”: ne mund t’i propozojmë Shqipërisë bashkëpunim me dobi të ndërsjellë në fushën e ekonomisë, kulturës, artit, shëndetësisë, shkencës etj. Aq më tepër, që ne kemi përvojë historike të një bashkëpunimi dhe miqësie të mirë: në vitet 1950 Bashkimi Sovjetik luajti një rol të madh në rimëkëmbjen e ekonomisë kombëtare të Shqipërisë, krijimin e degëve të tëra të ekonomisë, si edhe në zhvillimin e kulturës, arsimit, shkencës. Kjo është baza që ne jemi gati të zhvillojmë më tej.

Po i përgjigjem shkurtimisht pyetjes se kush dhe përse pengon bashkëpunimin midis vendeve tona – ajo palë s’është Rusia.

 

Ilva Tare: Ju thatë që nuk është Rusia që pengon zhvillimin e një marrëdhënie të paktën normale. Megjithatë ka ata që mendojnë se edhe Rusia nuk ka qenë shumë miqësore në raportime për Shqiprinë dhe shqiptarët. Herë pas here në shtypin rus, kur flitet për shqiptarët, përdoret termi se ata janë islamistë, flitet për kriminalitetin e lartë, flitet për planet e “Shqipërisë së Madhe”. Mos ka edhe Rusia pak përgjegjësi për këtë klimë në marrëdhëniet tone?

Mikhail Afanasiev: Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë vlerësime negative të Shqipërisë nga ana e opinionit publik rus apo rrethet proqeveritare të vendit tim. Historikisht Shqipëria është konsideruar një shtet miqësor. Përsa i përket karakteristikave të Shqipërisë si një shtet kriminal, islamik apo ekstremist, ato gjenden në botimet e disa mediave, të cilat nuk pasqyrojnë këndvështrimin zyrtar.

 

Ilva Tare: Kryeministri Edi Rama takoi Ministrin e Jashtëm rus në shkurt të këtij viti Sergej Lavrov të cilit i tha se Shqipëria do të vazhdojë përkrah NATOs, SHBA dhe BE. Çfarë do të thotë kjo për Rusinë? Si e kuptoni ju këtë deklaratë?

Mikhail Afanasiev: Para se gjithash do të doja të nënvizoj se të ashtuquajturën “zgjedhjen kombëtare” të Shqipërisë, për të cilën fliste z.Rama në Moskë, askush në Rusi nuk ka dëshirë ta vërë në diskutim. Të zgjedhësh miq ose partnerë për vete është një e drejtë e padiskutueshme e secilit vend. Nëse Pala Shqiptare e vendos vetë veten në korniza kaq të ngushta, ne s’kemi ç’interpretojmë. Moska thjesht e merr në konsideratë këtë faktor në marrëdhëniet e saj me Tiranën zyrtare.

Megjithatë dua të rikujtoj se bota e sotme ka kohë që ka humbur unipolaritetin e saj. Rusia, pavarësisht vështirësive aktuale dhe mosmarrëveshjeve, ruan lidhje të ngushta si me SHBA-të, ashtu edhe me BE-në, Kinën dhe Indinë – domethënë me të gjitha fuqitë e mëdha, të cilat e bazojnë politikën e tyre në interesa pragmatike kombëtare dhe nuk kanë pse të kufizohen me limite të rrepta ideologjike të blloqeve. Këta partnerë, që kanë një histori shumëshekullore të raporteve me Rusinë, dinë t’i ndërtojnë ato në një përspektivë shumë të gjatë. Më besoni, ata kanë çfarë të çmojnë.

 

Ilva Tare: A ishte vizita e z. Rama (edhe pse në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së) një mundësi për të çuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë një hap më përpara? Ndoshta, mund të ishte organuzuar një takim i nivelit më të lartë me autoritetet ruse? U shfrytzua në maksimum ajo vizitë? A mund të kishte qenë Rusia më e ngrohtë, më mikëpritëse për sa i përket atij takimi?

Mikhail Afanasiev: Sigurisht, vizita të këtij niveli të lartë i japin një shtysë zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, dialogut dhe konktakteve. Megjithatë, vizita e z.Rama në Moskë në shkurt të këtij viti kishte një karakter specifik. Në këtë rast ai erdhi në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së. Ndaj, në qendër të diskutimit ishin çështjet e veprimtarisë së kësaj organizate mbarëevropiane. Sidoqoftë, gjatë bisedimeve u prekën edhe disa aspekte të marrëdhënieve tona dypalëshe. Palët konfirmuan në parim gatishmërinë për të zhvilluar bashkëpunim në fusha të ndryshme. Në veçanti, u diskutua perspektiva e rifillimit të punimeve të Komisionit Ndërqeveritar dypalësh, i cili merret me shqyrtimin e çështjeve të bashkëpunimit tregtare-ekonomike, shkencore-teknike dhe kulturore. Aktualisht ky komision ekziston vetëm “në letër”. Pas riorganizimit të qeverive, si në Rusi, ashtu edhe në Shqipëri, komisioni ka mbetur pa bashkëkryetarë nga të dyja palët, por ne shpresojmë në zgjidhjen e këtij problemi së shpejti.

Përveç kësaj, ndër fushat e mudshme për bashkëpunim janë edhe turizmi, bujqësia, energjetika, transporti.

Sa i përket kontakteve të mëtejshme, siç e dini, vendi që mban kryesimin e OSBE-së tradicionalisht zhvillon në territorin e tij takime të nivelit të lartë, veçanërisht, në fund të vitit organizon konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të organizatës. Nëse nuk do të na pengojë koronavirusi, kjo konferencë do të mbahet në Tiranë. Në këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov do të marrë pjesë në të dhe, me siguri, do të sjellë për diskutim edhe disa tema me karakter dypalësh.

 

Ilva Tare: Nuk ka ndodhur asgjë që nga momenti, kur Kryeministri Rama tha se do të rishikojë marrëveshjen me Rusinë të nënshkruar në vitin 2004 me qeverinë socialiste të asaj kohe? Ajo marrëveshje parashikon bashkëpunimin kulturor dhe shkencor etj. Jemi në fazë rishikimi të asaj marrëveshjeje apo nuk jeni ulur ende të nisni ndryshimet në atë?

Mikhail Afanasiev: Do të doja të sillja disa shpjegime lidhur me këtë informacion, i cili nuk është plotësisht i saktë. Marrëveshja për miqësinë dhe bashkëpunimin, e sigluar nga ministrat tanë të jashtëm në 2004, për fat të keq, nuk u nënshkrua, dhe për këtë arsye nuk ka hyrë në fuqi. Prandaj, nuk mund të flasim ende për zbatimin e saj. Nëse pala shqiptare dëshiron të rregullojë përmbajtjen e saj në përputhje me realitetet aktuale, atëherë ne jemi të gatshëm të përmbushim kërkesat e saj në mënyrë të arsyeshme. Deri më tani, ne nuk kemi parë synime të tilla.

 

Ilva Tare: Rama kërkoi gjithashtu në Moskë që Rusia dhe Serbia të njihnin Kosovën si shtet të pavarur. Mendoni se Rusia do ta bëjë ndonjëherë?

Mikhail Afanasiev: Qëndrimi i vendit tonë për çështjen e Kosovës është i njohur mirë. Çfarëdo që të thotë ndokush, rezoluta  1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet elementi aktual i së drejtës ndërkombëtare, i cili duhet të udhëzojë vendet anëtare të OKB-së në këtë çështje. Është e çuditshme në këtë sfond të dëgjosh thirrje ndaj Rusisë për të njohur “pavarësinë” e Kosovës. Ndoshta, kjo thirrje duhet t’u drejtohet disa shteteve të BE-së, anëtarësimi në të cilin është prioriteti kryesor i Shqipërisë? Kjo do të ishte më logjike.

Për sa i përket mundësisë së njohjes së pavarësisë së krahinës nga Rusia, Moska e ka thënë vazhdimisht: ne do të mbështesim çdo vendim kompromisi reciprokisht të pranueshëm për statusin e Kosovës, i arritur si rezultat i negociatave të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës. Nëse me njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur do të bien dakord miqtë tanë serbë, ne, sigurisht, do ta shqyrtojmë këtë mundësi. E rëndësishme është që kjo çështje të zgjidhet drejtpërdrejt midis palëve të interesit brenda kuadrit të procesit negociator. Vetëm një zgjidhje kompromisi do të jetë e qëndrueshme, e aftë të garantojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Ne gjithashtu besojmë se një nga parakushtet për zgjidhjen e problemit është vëmendja e vazhdueshme nga Këshilli i Sigurimit të OKB për tematikën e Kosovës. Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së duke miratuar një rezolutë të re për të zëvendësuar rezolutën aktuale 1244.

 

Ilva Tare: Në Tiranën zyrtare dhe në Prishtinë në kohën kur u bë ndërhyrje në Krime kanë vënë re se precedenti i Kosovës u përmend nga Moska zyrtare. Pra, nga njëra anë ishte precedent që Rusia e pranonte, por nga ana tjetër nuk e hjeh pavarësinë e Kosovës. A është ky standarti i dyfishtë?

Mikhail Afanasiev: Ngjarjet e vitit 1999 janë pjesë e historisë, por e një historie jo të largët, e cila ende vazhdon të ndikojë në situatën në rajon. Pikërisht këto ngjarje çuan në miratimin e rezolutës 1244 pas agresionit të njohur të vendeve të NATO-s kundër Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ndarjes faktike të Kosovës. Çështja e statusit të krahinës nuk është zgjidhur ende, dhe ne çdo herë kthehemi te nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje bazuar në normat e së drejtës ndërkombëtare, burim i të cilave është Karta e OKB-së dhe vendimet e Këshillit të Sigurimit.  Kohët e fundit partnerët tanë perëndimorë janë përpjekur t’u diktojnë palëve disa “rregulla” që shtrembërojnë të drejtën ndërkombëtare aktuale. Këto janë përpjekje për të drejtuar marrëdhëniet ndërkombëtare në kazuse.

 

Ilva Tare: Është aktualisht një draft që përflitet, që ka qenë duke u diskutuar midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin s Shteteve të Baskuara të Amerikës, ku përfshihet (pavarësisht se zyrtarisht është mohuar) një ide për të pasur njëmarrëveshje përfundimtare, që Serbia do të duhet të njohë Kosovën, por do të përfshijë edhe shkëmbim territoresh. Cili është pozicioni i Rusisë për këtë çështje?

Mikhail Afanasiev: Shpesh lexoj në faqet e botimeve të ndryshme, jo vetëm shqiptare, përshkrimin e disa skenareve, sipas të cilave Beogradi dhe Prishtina janë duke rënë dakord mes tyre, nga njëra anë, për njohjen e Kosovës, nga ana tjetër, për njëfarë shkëmbimi territorial me kritere etnike. Si u shpreha më parë, Rusia është gati të pranojë çdo vendim, për të cilin palët do të bien dakord. Por, nëse do të flasim për qëndrimin parimor të Rusisë mbi ndryshimet e kufijve në Evropë, ai është në përputhje të plotë me dokumentet mbarëevropiane që fiksojnë parimin e paprekshmërisë së kufijve të vendosura në kontekstin tonë pas Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë vendimin për rishqyrtimin e kufijve, edhe palët e interesuara, edhe partnerët e tyre ndërkombëtarë duhet të kuptojnë qartë se çfarë pasojash afatgjata do të kenë këto vendime. Në veçanti, a nuk do të shkaktojë ky precedent një “efekt domino” në raport me shtetet e tjera evropiane, të cilat kanë konflikte territoriale me fqinjët e tyre e që mund të bazohen te precedenti në fjalë për arritjen e qëllimeve të tyre.  Ky fakt duhet të merret parasysh për të mos lejuar ndërmarrjen e hapave të nxituar.

 

Ilva Tare: Është bërë publike se Ministri i Jashtëm Lavrov do të vizitojë Beogradin pak ditë përpara zgjedhjeve në Serbi. Është normale për një vizitë kaq të lartë diplomatike në një vend ku ka zgjedhjet parlamentare?

Mikhail Afanasiev: Po, sot unë kam parë njoftimin për vizitën e ardhshme të Lavrovit në Boegrad më datë 18 qershor të këtij viti. Në qendër të bisedimeve do të jenë çështjet e marrëdhënieve dypalëshe. Nuk kam informacion tjetër për rendin e ditës së bisedimeve. 

Përsa i përket qëllimeve dhe afateve kohore të kësaj vizite, nuk është puna ime si diplomat të vlerësoj ato. Këtu kanë liri veprimi përfaqësuesit e medias.

 

Ilva Tare: Çfarë kërkon Rusia në Ballkan? Cili është synimi i Rusisë për vendet e Ballkanit?Nuk është sekret marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me vendet sllave ose me ato me shumicën ortodokse.

Mikhail Afanasiev: Gadishulli i Ballkanit është i rëndësishëm për Rusinë. Nuk e fshehim këtë. Rusia ka qenë prej kohësh e pranishme në Ballkan, jo 30-40 vitet e fundit, por prej disa shekuj. Do të ishte e gabuar të themi se ne zhvillojmë marrëdhënie vetëm me vendet ortodokse, pasi ndër partnerët tanë më të mëdhenj është kryesisht Turqia. Natyrisht, ne kemi marrëdhënie të ngushta me Greqinë. Vendet e ish-Jugosllavisë janë gjithashtu midis partnerëve tanë të suksesshëm. Prandaj, nuk mund të thuhet se Rusia ka një orientim përzgjedhës ndaj shteteve të caktuara në këtë rajon. Me dikë marrëdhëniet janë më të mira, me dikë tjetër jo edhe aq. Rusia është e interesuar që në këtë rajon, i cili nuk është shumë larg kufijtve tanë, të mbretërojë paqja, stabiliteti, qetësia dhe prosperiteti ekonomik. Për ne kjo është e rëndësishme si nga pikëpamja e sigurisë sonë, ashtu edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, me dobi të ndërsjellë, me të gjitha vendet e rajonit. Ne të gjithë jemi fqinjë, pjesë e një rajoni, ku shtrihet Deti i Zi, meqë ra fjala, Shqipëria, gjithashtu, është vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Ne jemi partnerë në organizata mbarëevropiane, të tilla si OSBE. Të gjitha vendet e rajonit kanë për qëllim hyrjen në BE, i cili është partneri ekonomik më i madh i Rusisë. Nisur nga kjo pikëpamje, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi janë interesi ynë i vetëm në rajonin e Ballkanit.

 

Ilva Tare: Në këto ditë të koronavirusit është folur shpesh edhe nga studiuesit dhe historianët se ndoshta bota do të përjetojë ndryshimin e rendit aktual botëror dhe do të ndërtohet një rend i ri botëror. Nese Ju e pranoni këtë ide që qarkullon, ku do të jetë roli i ri i Rusisë në rendin e ri botëror të mundshëm?

Mikhail Afanasiev: Padyshim, bota nuk do të jetë më e njëjtë. Kjo fatkeqësi solli shumë risi në konceptimin e brishtësisë së njerëzimit, në mundësinë e zhdukjes së tij dhe nevojën për ndërmarrjen e masave të përbashkëta për kapërcimin e dukurive të tilla. Nëse ne nuk do të lëmë mënjanë grindjet, konfliktet, aq më tepër ato të armatosura, ne kurrë nuk do të dalim nga kjo gjendje, në të cilën ndodhemi tani. Ne duhet të rimëkëmbim ekonominë, me përpjekje të përbashkëta të prodhojmë vaksinën e duhur. Këto asnjë vend nuk mund t’i arrijë i vetëm. Prioriteti ynë kryesor është forcimi i rolit të Rusisë në bashkëpunimin ndërkombëtar.

 

Ilva Tare: Në rrafshin global, Shtetet e Bashkuara dhe Donald Trump kanë bërë disa lëvizje që mund të ndikojnë në mënyrën se si është konfiguruar stabiliteti global. Trump së fundmi është tërhequr nga OBSH, për shkak se e akuzon për komplot me Kinën për virusin, Është tërhequr nga traktati INF (Intermediate-Range Nuclear Forces ose Forcat Bërthamore me Rreze të mesme), ABMT (ANTI-BALLISTIC MISSILE TREATY, ose Traktati i raketave anti balistike), JCPOA (JOINT COMPREHENSIVE PLAN OF ACTION, ose Plani i përbashkët gjithëpërfshirës i veprimit) Traktati i qiejve të hapur dhe kërcënimet për të mbyllur START-2020 që ka të bëjë me reduktimin e armëve nukleare. Si i gjykoni këto lëvizje?

Mikhail Afanasiev: Federata Ruse është krejt e shqetësuar nga veprimet e administratës së SHBA-ve në këtë fushë. Faktikisht gjatë një afati prezidencial u përfundua çmontimi i tërë sistemit të sigurisë strategjike, i cili ndertohej gjatë 50 viteve të fundit. Me një firmë u shkatërruan shtyllat kryesore e këtij sistemi, siç janë Traktati i mbrojtjes kundërajrore dhe Traktati i Raketave Bërthamore me Rreze të Mesme, nuk është e njohur akoma e ardhmja e Traktatit për Redaktimin e Armëve Strategjike (START-3). Këta ishin elemente bazë, që bënin botën tonë të sigurtë. Në mungesën e tyre situata po bëhet gjithnjë më pak e parashikueshme. Dhe nuk është e sigurtë që të shpresojmë për sjelljen ndërgjegjëse e disa politikanëve, siç e tregojnë ngjarjet e fundit në botë.

Prandaj ne i bejmë thirrje SHBA-ve që të rishikojnë qëndrimin e tyre (të njejtën e bëjnë edhe aleatët e më të afërtë të SHBA-ve si në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në NATO). Shumë ishin të çoroditur nga vendimi i SHBA-ve për t`u tërhequr nga Traktati i Qiejve të Hapur si një hap, që plotësisht minon atë që mbetet nga besimi midis NATO-së dhe Rusisë.

Tani duhet të logjikojmë urgjentisht si duhet të reagojmë ndaj nismës së shprehur nga presidenti Tramp për të braktisur Traktatin Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Provave Bërthamore. Ky hap do të minojë plotësisht sigurinë bërthamore në botë. Rusia tani po kryen punën aktive me Shtetet e Bashkuara, duke u përpjekur të përmirësojë situatën e tanishme. Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi marrë përgjigjen konkrete nga pala amerikane për propozimet tona.

Shtetet e Bashkuara shpesh i referohen nëvojës për të futur Kinën si fuqinë e madhe bërthamore në sistemin aktiv të stabilitetit global. Nga ana jonë mendojmë se problemet në marrëdhëniet midis Amerikës dhe Kinës nuk është preteksti për të minuar bazat e sigurisë globale, të cilat janë të parashtruar në dokumentet dypalëshe me Rusinë.

 

Ilva Tare: Si është marrëdhënia e Rusisë me SHBA? U duk sikur kishte një afrimitet me ardhjen e Trump, si është marrëdhënia aktuale me administratën amerikane? Po mbështetje për ndonjë nga dy kandidatët presidenciale?

Mikhail Afanasiev: Pasi presidentit Trump ishte zgjedhur dhe pas deklaratave të tij të para për Rusinë në Moskë ka pasur rrezat e shpresës sa i përket përmirësimt të marrëdhënieve tona, por kjo mbeti pa realizimin praktik. Në fakt marrëdhëniet ruso-amerikane u bënë peng i rivalitietit të brendshpëm midis republikaneve dhe demokrateve. I dihet sheshit historia e pabazë për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Insinuatat e tilla nuk janë vetëm të pathemelta, por janë edhe, sipas mendimit tonë, ofenduese për popullin e madh amerikan. Disa politikanë krijojnë imazhin e amerikanëve kreativë si një turmë të nënshtruar ndikimit rus, dhe kjo është thjesht për të qeshur.

Në përgjithësi marrëdhëniet tona sot janë për në nivelin mjaft të ulët. Por, me gjithë ato sanksione ekonomike lidhjet tregtare midis SHBA-ve dhe Rusisë po zhvillohen edhe më tej, kurse bashkëpunimi me Rusinë në fushat, që konsiderohen nga partnerët tanë amerikanë si strategjike, per shembull në hapësirë kozmike, nuk po përfshihet fare në regjimin e sanksioneve. Fjala bëhet për një politikë të zakonshme për SHBA-në – politikën e standardeve te dyfishta, në të cilën ka më shumë gjëra negative sesa pozitive.

Po shpresojmë se stagnimi në marrëdhëniet tona me Amerikën në fund të fundit do të kapërcehet.

Sa i përket fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA – Rusia nuk e përkrah asnjë kandidat edhe për arsyen se parimi themelor i politikës së saj të jashtme është mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Kush do të fitojë – me të do të bashkëpunojmë.

 

Ilva Tare: Përse Rusia akuzohet se ndërhyn në procese elektorale? Edhe këtu në Shqipëri akuzohet lideri i opozitës dhe ka patur një gjykim për të për të cilin doli i pafajshëm nga i cili aludohej gjithashtu se është paguar me financa ruse. Përse bëhen këto aludime nëpër vendet perëndimore, për ndërhyrjetë Rusisë në punët e brendshme të shteteve të huaja?

Mikhail Afanasiev: Kur mbërrita në Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar, ndjeva dhimbje për popullin shqiptar lidhur me tërmetin e ndodhur, i cili shkaktoi viktima njerëzore dhe dëme materiale. Por, në të njëjtën kohë u habita: pikërisht disa ditë pas tërmetit, Kuvendi shqiptar votoi rezolutën, në të cilën dënohej, ndër të tjera edhe përfshirja e Rusisë në proceset elektorale në Shqipëri. U trondita thellë dhe ende nuk mund të gjej një shpjegim se në cilat fakte u bazuan këto pohime. Është e vërtetë, në Shqipëri ka pasur një proces gjyqësor ndaj një lideri opozitar, gjoja për shkak të lidhjeve me shtetas rusë dhe financimit prej tyre të fushatës së tij zgjedhore. Drejtësia shqiptare e ka shpallur atë të pafajshëm. Nuk është e nevojshme t’i rikthehemi kësaj çështjeje, aq më tepër që aktualisht në Shqipëri nuk ka interesa ruse financiare apo politike.

 

Ilva Tare: Flitet shpesh për financime ruse të medias në Shqipëri. Cila është përgjigja juaj për këtë cështje? A keni ju interesa në median shqiptare?

Mikhail Afanasiev: Për fat të keq deri më sot nuk kemi patur propozime për financimin e mediave shqiptare, vështirë se do të binim dakord. Nëse do të supozohet, se Rusia financon mediat shqiptare, atëherë, me siguri, do të kishte shumë komente dhe artikuj pozitivë për Rusinë dhe politikën e saj. Në fakt shtypi shqiptar ka një orientim të përgjithshëm antirus. Ai kap me kënaqësi trillimet antiruse të publikuara në shtypin evropian, sidomos të vendeve që kanë një qasje jo miqësore ndaj Rusisë. Arikuj proruse nuk kam parë asnjëherë.

 

Ilva Tare: Më lejoni të insistoj – nuk ka asgjë të keqe të kërkohet ndikim në media apo në një vend – sepse në fund të fundit diplomacia kërkon të shtrijë ndikimin në një vend të caktuar – pra Ju thoni se doni të keni ndikim, por nuk keni interesa dhe nuk keni investuar financiarisht në media shqiptare.

Mikhail Afanasiev: Nuk do të dëshironim qëndrime “proruse” nga mediat e Shqipërisë. Do të ishte me më rëndesi për ne që njerëzit, të cilët shkruajnë për Rusinë, politikën e saj, veprimet e Moskës në këtë rajon, të përpiqeshin të studionin situatën dhe faktet më thellë dhe jo të bazoheshin në po ato burime, të cilat mbartin informacion negativ për Rusinë. Do të ishte me shumë dobi përfshirja e ekspertëve, medias dhe diplomatëve rusë që janë në gjendje të sqarojnë çështjet e prekura.

Sa i përket synimit për forcimin e ndikimit në rajon, po, siç e kam thënë tashmë, ne kemi jo pak interesa në Ballkan, por realizimi efektiv i tyre varet edhe nga interesi i ndërsjellë i partnerëve.

 

Ilva Tare: Sa rusë jetojnë në Shqipëri dhe keni informacion me çfarë merren ata? Janë integruar në shoqëri?

Mikhail Afanasiev: Faleminderit për këtë pyetje. Sot në Shqipëri jetojnë afërsisht 500 rusë dhe njerëz me origjinë nga vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura që identifikohen si bashkatdhëtarët tanë. Shumica dërmuese e tyre banon në qytete të mëdha të vendit: Tiranë, Durres, Elbasan, Fier, Shkodër, Sarandë. Kryesisht janë pasardhës nga martesat sovjetiko-shqiptare të viteve 1950-të. Fati i grave ruse rrodhi në mënyrë tragjike pas ndërprerjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BRSS-së,. Megjithatë, ato u kthyen në shqiptare që e duan vendin e tyre, por ruajnë edhe kujtimin për Rusinë, edukojnë fëmijët me frymën e dashurisë dhe respektit për Shqipërinë dhe Rusinë. Një grup tjetër i grave janë edhe gratë ruse që janë martuar me shqiptarë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991, bashkë me fëmijët e tyre. Duhet thënë se këto gra janë integruar mirë në shoqërinë shqiptare, pjesa më e madhe ka mësuar gjuhën shqipe, ndërsa fëmijët e tyre mësojnë në shkollat shqiptare. Ato marrin pjesë aktive në jetën sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Nga ana jonë ne nuk vërejmë në Shqipëri shkelje të të drejtave të bashkëqytetarëve tanë mbi baza kombëtare, ndërkohë ata që janë shtetas të Rusisë nuk e harrojnë Atdheun e tyre. Në veçanti, ata marrin pjesë aktive në zgjedhjet federale të mbajtura në Rusi. Zgjedhjet e fundit të mbajtura ishin zgjedhjet presidenciale të Federatës Ruse. Shpresojmë në interesin e tyre për pjesëmarrje në votimin mbarëkombëtar për ndryshime në Kushtetutën e Federatës Ruse, i cili do të kryhet në Ambasadën tonë më 1 korrik . Ne jemi të kënaqur me qëndrimin e shqiptarëve ndaj rusëve, e vlerësojmë shumë këtë dhe mund t’ju siguroj se qytetarët tanë nuk janë më pak të ngrohtë ndaj shqiptarëve që jetojnë në Rusi.

 

Ilva Tare: Çfarë është Dita e Rusisë? Dhe a do të ketë festime në këto ditë me coronavirus?

Mikhail Afanasiev: Festa e ka zanafillën e saj te miratimi i Deklaratës për Sovranitetin Shtetëror të RSFSR-së (Republika Socialiste Federale Sovjetike e Rusisë) në 1990. Më lejoni t'ju kujtoj se atëherë Federata Ruse ishte një republikë në përbërje të Bashkimit Sovjetik. Plotësisht e pavarur Rusia u bë më 25 dhjetor të vitit 1991 me prishjen e Bashkimit Sovjetik, dmth 1 vit e gjysmë pas kësaj. Mëgjithatë gjatë 30 viteve të fundit 12 qershor ka fituar rëndësi më të gjerë – kjo është festa më e madhe patriotike e vendit, i cili i kushohet bashkimit dhe miqësisë të popujve të Rusisë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, shoqerore etj. Sidoqoftë, gjatë këtyre 30 viteve, dita e 12 qershorit ka fituar një rëndësi më të gjerë - kjo është dita e dashurisë për Atdheun dhe besimit në të ardhmen e saj të madhe. Fatkeqësisht, pandemia e koronavirusit korrigjoi planet tona për kremtimin e Ditës së Rusisë në pothuajse gjithë globin, përfshirë edhe Shqipërinë. Duhet të linim pas idenë e mbajtjes së pritjes tradicionale shtetërore kushtuar kësaj date. Jemi të detyruar ta kalojmë festimin e Ditës së Rusisë në formatin online. Ju lutemi, vizitoni faqen e ambasadës sonë në Facebook. Ju premtoj se do të jetë interesante!

 

Faleminderit shumë, isha i kënaqur të flisja me Ju dhe të prezantoja opinione të ambasadorit rus për kanalin, i cili është fytyra e Shqipërisë.